Para studentëve, prezantimin e veprës së Akademik Taki Fiti e bëri dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi Alili. Ajo veçoi pjesë të biografisë, duke vënë në pah kontributin e Akad. Taki Fiti në mendimin ekonomik në vend e më gjerë.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij përshëndetës theksoi se nuk ka ekonomistë më të thirrur që të prezantojë rrugëtimin e nobelistëve në ekonomi sesa Akademik Taki Fiti.
“Ai shquhet për elokuencën dhe ligjëratat e qarta dhe është njëri ndër shkruesit më të mirë të librave ekonomik. Është një profesionist i vërtet dhe në librin e tij për nobelistët ka bërë përshkrimin më të mirë të mendimit ekonomik botëror të gjashtëdhjetë viteve të fundit. Shumë nga profesorët, që sot ligjërojnë në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë në një formë apo tjetër kanë bashkëpunuar me akademik Taki Fiti.”, tha mes tjerash Rektori Bexheti.
Akademiku Taki Fiti u shpreh se ndjehet i privilegjuar që ligjëron në UEJL, në mesin e studentëve dhe në veçanti në mesin e kolegëve. Ai në detaje e prezantoi temën, duke theksuar kontributin konkret të nobelistes Klaudija Goldin.
“Nobelistja Klaudija Goldin më së miri e ka kuptuar dhe studiuar diskriminin gjinor në ekonomi, posaçërisht në tregun e punës dhe puna e saj paraqet një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fushë”, theksoi akademik Fiti.
Ligjërata u ndoq me mjaft interes nga studentët dhe stafi i Universitetit.
