Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, në fjalimin e tij solemn, theksoi se UEJL, do ta vazhdojë me përkushtim rrugën për standarde cilësie, fleksibilitet karshi tregut dhe respektim të plotë të kërkesave të tij, vlera multikulturore, ndërkombëtarizim e digjitalizim permanent, bashkëpunim ndëruniversitar në vend dhe jashtë, gjithnjë duke u bazuar në parimin e konkurrencës në bashkëpunim.
“Rritja e cilësisë së studenteve krahas numrit, që në hyrje për shkak të Fondit rritës të bursave universitare, alokimi i drejtë dhe efikas i resurseve, rritja e projekteve shkencore dhe aplikative, stabiliteti i mbështetjes financiare nga Buxheti i shtetit, rritja e aktiviteteve komerciale edhe me Parkun teknologjik në suaza të Entitetit afarist për Biznes dhe Inovacion, kanë ndikuar dukshëm në rritjen e kapacitetit dhe qëndrueshmërisë financiare të Universitetit.”, tha mes tjerash Rektori Bexheti në fjalimin e tij.
“Padyshim se themelimi i Universitetit të Evropës Juglindore, është një datë e rëndësishme për arsimin sipëror në gjuhën shqipe, sepse me të u thye barriera politike e psikologjike te ata që e mohonin të drejtën tonë të natyrshme. Për shkak të mungesës së vizionit e mirëkuptimit, u desh shqiptarët të zhvillojnë beteja të shumta politike për të fituar të drejtën e arsimit sipëror dhe për fat të mirë, ne jemi këtu ku jemi, me të drejtën e garantuar me Kushtetutë me orientim të palëkundër euroamerikan.”, theksoi në fjalimin e tij Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e RMV-së, Artan Grubi.
“Numri 22 nënkupton saktësinë dhe ekuilibrin. Në kapacitetin e tij të plotë, ky numër është ndërtuesi, që do të thotë se jep fuqinë për të arritur gjëra pothuajse të pamundura. Edhe një herë është kjo referencë e mrekullueshme për misionin e UEJL-së: Jetëso dijen tënde. I gjithë stafi dhe studentët e UEJL-së mund të jenë krenarë që punojnë në një universitet që i mbështet ata në shumë mënyra për të arritur qëllimet e tyre.”, tha në fjalimin e tij, kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Klaus Tochtermann.
Në kuadër të Ceremonisë, Rektori dhe Kryetari i Bordit, në mënyrë simbolike të punësuarve që mbushin 20 vite pune iu ndau medalje argjendi të personalizuara dhe mirënjohje. Mirënjohje iu ndanë edhe personaliteteve që kanë kontribuuar në ndërkombëtarizimin dhe zhvillimin e Universitetit.
Në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të 22-të të Universitetit u promovuan doktorantët e gjeneratës 2022-2023, të cilët në mënyrë solemne pranuan diplomat.
Artistët e mirënjohur nga Tetova, sopranoja Besarta Murtezani dhe pianisti Shkëlzen Baftijari u kujdesën për anën artistike të Ceremonisë.
