Folës kryesor të konferencës, ishin ekspertët e njohur ndërkombëtarë: Prof. Léo-Paul Dana, ICD Business School of Paris, Groupe IGS, Francë, Dr. Leon Eisen, inovator dhe ndërmarrës në GSD Venture Studios, GVI Ventures dhe Network VC, si dhe Prof. Andrea Caputo, profesor në Universitetin e Trentos, Itali dhe në Universitetin Linkoln, Mbretëria e Bashkuar.
Konferencën e shpalli të hapur, Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti hulumtuesit, të cilët kanë kontribuuar me punimet e tyre e që janë mbi 100 të tilla, nga fusha dhe tema të ndryshme.
“Jam i lumtur t’ju informojë se konferenca e sotshme ka një karakter të plotë ndërkombëtarë, sepse asnjëherë më parë nuk kemi patur një prani kaq të madhe të hulumtuesve ndërkombëtarë, jo vetëm si pjesëmarrje, por edhe si kontribut konkret me punime shkencore. Hulumtimi në Universitetin e Evropës Juglindore, është njëri nga qëllimet kryesore në Strategjinë e Universitetit, ku jemi shumë të suksesshëm.“, tha mes tjerash Rektori Bexheti.
Mirëseardhje, të pranishmëve, iu dëshirojë edhe dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi – Alili, e cila po ashtu i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe të gjithë stafin që ka kontribuuar në organizimin dhe mbarëvajtjen e Konferencës.
“Ideja jonë kryesore në organizimin e konferencave ka qenë që të trajtojmë tema vërtet aktuale, ashtu siç është edhe tema e kësaj konference. Gjithmonë, qëllimi jonë ka qenë që të trajtojmë tema sfiduese dhe interdisiplinare”, tha mes tjerash Dekania Abazi-Alili.
Për aspektin organizativ dhe përmasat e konferencës, si dhe të dhëna lidhur me rezultatet e arritura në gjashtë konferencat e organizuara deri më tani, prezantoi Prof. Dr. Veland Ramadani, sekretar organizativ i Konferencës.
“Fillimet kanë qenë të vështira, por konferenca është rritur për nga përmasat dhe pjesëmarrja, ashtu siç është rritur edhe vetë Universiteti. Risi e kësaj konference është se për herë të parë punimet shkencore do të publikohen në Springer Procedings in Buissines and Economics e indeksuar në Scopus”, tha Prof. Ramadani.
Në sesionin plenar prezantuan folësit kryesor, Prof. Léo-Paul Dana, në temën “Drejtimi përtej krizës aktuale: paradigma në zhvillim", Dr. Leon Eisen, në temën “Mendimi kuantik i biznesit: Hartëzimi i suksesit të së ardhmes, sot” dhe Assoc. Prof. Dr. Andrea Caputo, në temën “ Cili është ndikimi për ndërmarrësinë? Bisedë për gjendjen dhe pyetje të hapura për qëndrueshmërinë”.
Konferenca i zhvilloi punimet në 5 sesione plenare në tema, si: Rimëkëmbja ekonomike, konsolidimi dhe qëndrueshmëria; Ekonomi dhe Financa; Ndërmarrësia, Inovacioni dhe Biznesi Familjar; Menxhmenti dhe Marketingu; Sistemet e Informacionit, Shkenca e të Dhënave dhe Inteligjenca Artificiale.