Në fjalimin e tij, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, uroi të gjithë mësimdhënësit në këtë festë aq të veçantë dhe aq domethënëse për të gjithë që janë përfshirë në misionin e shenjtë të arsimimit. Ai, në veçanti falënderoi drejtorinë, nxënësit dhe profesorët e shkollës së mesme të mjekësisë për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin në mbajtjen e këtyre ngjarjeve të vlefshme për të gjithë ne. Rektori Bexheti, në fjalimin e tij, foli për rëndësinë dhe historikun e 7 Marsit, që lidhet me përpjekjet e vazhdueshme të rilindësve për arsimin në gjuhën shqipe dhe e cilësoi si një moment shumë të rëndësishëm reflektimi se në çfarë pozite gjendet aktualisht arsimi në gjuhën shqipe.
“Këto janë momente më të mira për të reflektuar se në kushtet e sotme të lirisë, pothuaj ideale për këtë mision që po bëjmë dhe si duket nuk jemi sa duhet të vetëdijshëm për këto vlera, që dikush është „shkrirë si qiriu”, siç do thoshte Naim Frashëri, për t’i ruajtur dhe kultivuar. Për ne si Institucion arsimor, 7 Marsi-festa e shkollës së parë shqipe, ka një kuptim edhe më specifik. Shënon fillimin e ri ngritjes së vetëdijes kombëtare me edukim dhe arsim.”, tha mes tjerash në fjalimin e tij, rektori Bexheti.
Në referatin e tij, dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe komunikimit, Prof. Dr. Demush Bajrami, veçoi momente të rëndësishme historike që sollën deri të hapja e shkollës së parë shqipe.
“7 Marsi e lartëson idenë emancipuese e kulturore dhe duke e ngritur arsimin në këtë rang, shqiptarët bashkë me popujt tjerë arritën të ecin rrugës së përparimit, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë”, tha mes tjerash Dekani Bajrami.
Manifestimi u moderua nga studentja e UEJL-së, Anisa Bexheti, ndërsa me shfaqe poetike u prezantua studentja Ajeta Dauti dhe nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë të udhëhequr nga profesorët Rudina Zeqiri dhe Xhezmi Saliu.