Panelistë të këtij diskutimi ishin: rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, ish-kryeministri, në cilësinë e biznesmenit, Zoran Zaev dhe dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi.
Në prezantimin e tij, rektori Bexheti, e falënderoi ish-kryeministrin Zoran Zaev dhe Parlamentin dhe Asociacionin Studentor, që ka mundësuar organizimin e këtij debati, të parin në serinë e debateve, që do të mbahen në të ardhmen, duke takuar bashkë afaristët dhe akademikët për të prezantuar pikëpamjet dhe ekspertizën e tyre për çështje të rëndësishme shoqërore.
Në fjalimin e tij, para se të flet si panelist, Rektori Bexheti e falënderoi ish-kryeministrin Zaev, për mbajtjen e premtimit për sigurimin e mbështetjes së Universitetit nga Qeveria.
“Kryeministri i mëparshëm Zaev, me rastin e inaugurimit tim si rektor para 4 viteve e dha një premtim publik, ku tha “ju siguroni cilësi, unë do të siguroj mbështetjen tuaj”. Sot, dua të falënderojë publikisht për mbajtjen e premtimit, sepse politikanët rrallë herë i mbajnë premtimet. E falënderoj jo vetëm për mbajtjen e premtimit, por edhe se kjo mbështetje, të cilën Universiteti e ka rishpërndarë në formën e bursave ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të studentëve të regjistruar, në kushte kur të gjitha trendët në vend janë rrenëse.”, potencoi Rektori Bexheti.
Në cilësinë e panelistit dhe ekspertit të fushës, Akademik Bexheti, u përqendrua në disa komponentë të rëndësishëm të krizës aktuale energjetike dhe inflatorike. Ai e theksoi rëndësinë e përgjegjësisë shoqërore të kompanive të mëdha, të cilat duhet të sillen mjaft racionalisht në rritjen e çmimeve dhe mos përfitojnë nga situata. Po ashtu, lidhur me krizën e ndodhur, Rektori Bexheti, theksoi se ajo nuk na gjeti të befasuar, pasi ne i dimë kapacitetet prodhuese energjetike dhe se 30-40 vitet e kaluara shumë pak kemi investuar në sektorin energjetik. Lidhur me masat energjetike ai e theksoi kërkesën dhe insistimin e tij para një viti të vendoset sistemi shkallëzor , ose ndarjes në fasha të konsumit të energjisë elektrike, ku fasha më e lartë të jetë me çmim të trefishuar. Ai e cilësoi si të qëlluar masën e Qeverisë që të subvencionohen kategoritë sociale për pagesën e energjisë elektrike dhe ndihmën e dhënë në përballimin e krizës.
Kryeministri i mëparshëm dhe tani biznesmeni, Zoran Zaev, foli për përvojën e tij si kryeministër në përballimin e krizave dhe tani përvojën aktuale si biznesmen se si duhet të reagojnë institucionet në njërën anë dhe bizneset në anën tjetër. Para se të flet për përvojën e tij, ai e shpreh se ka një ndjesi të veçantë kur e viziton Universitetin e Evropës Juglindore.
“Këtë Universitet e dua, sepse paraqet Maqedoninë në miniaturë. Paraqet një mjedis shumkulturor, shumetnik dhe ndërkombëtar. Këtu i kemi fëmijët tanë dhe në fillim të mandatit tim kam patur nderin t’ju adresohem dhe besoj se paratë që ju rikthehen në formë të bursave janë investim me të cilin krenohem.”, theksoi Zaev
Zoran Zaev, në cilësinë e afaristë përshkroi mjedisin aktual ekonomik në vend, duke e krahasuar me përvojën e tij si politikan. Ai tha se në shumë aspekte, vendi është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe për këtë flasin rezultatet. Ai përmendi disa investime që janë paralajmëruar dhe që janë bërë në sferën energjetike dhe që dukshëm do të ndikojnë në përballimin e krizës energjetike.
“Fati jonë është se pritjet ishin mjaftë pesimiste për krizën, por ato tashmë kanë ndryshuar dhe nga informacionet që posedoj kemi një stabilizim të tregut energjetik dhe kjo falë përgjegjësisë sociale të Komisionit Evropian, i cili ka marr vendim për aplikimin e ngrirjes së çmimit të energjisë elektrike”, tha afaristi Zaev.
Dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi, u përqendrua në aspektin inflatorik të krizës. Të gjitha ekonomitë kanë një sasi të caktuar të parave letër dhe nëse vjen deri te një emetim i tepruar i tyre mund të vjen deri te humbja e vlerës së parasë. Në këtë situatë ne kemi më shumë para, vlera e tyre është më e ulët dhe rrjedhimisht e dhe fuqia e tyre blerëse humbet në drejtim të konsumatorëve dhe amvisërive.
Në emër të Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, fjalim mbajti, kryetari Agron Demiri, i cili i falënderoi panelistët për pjesëmarrjen, në veçanti ish-kryeministrin Zaev, i cili gjithmonë ka përkrahur nisma që kanë ardhur nga asociacionet studentore.
Në fund, studentët dhe stafi i pranishëm parashtruan pyetje dhe zhvilluan një bashkëbisedim lidhur me krizën energjetike dhe masat që po ndërmerren dhe që duhet të ndërmerren për ta kaluar me sa më pak pasoj për standardin e qytetarëve dhe vetë ekonomisë së vendit.