COVID-19 Information and Protocol

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt Ceremonia e promovimit të gjeneratës së 18-të të absolventëve të UEJL-së

Me një Ceremoni solemne, në praninë e prindërve, familjarëve, stafit dhe mysafirëve të tjerë, të shtunën (4 qershor 2022), në Universitetin e Evropës Juglindore, u promovua gjenerata e 18 e absolventëve.

Për herë të parë, pas zgjedhjes, me prani fizike absolventëve iu drejtua kryetari i Bordit të Universitetit, Klaus Tohtermann. Ai tha se ideja themelore e UEJL-së është të ofrojë qasje moderne dhe ndërkombëtare ndaj të mësuarit dhe të përshtatet vazhdimisht me ndryshimet në hulumtim dhe mësimdhënie.

“Baza për këtë ishte bashkëpunimi unik midis Evropës dhe SHBA-së. Në këtë vend duhet të falënderojmë donatorët tanë për mbështetjen e vazhdueshme. Me mbështetjen e shtetit, kolegët tanë akademikë kanë arritur të krijojnë një Universitet që është unik në rajon.”, tha mes tjerash në fjalimin e tij, presidenti I Bordit, Klaus Tohtermann.

Në fjalimin e tij, rektori Akad. Prof.Dr. Abdylmenaf Bexheti, i porositi absolventët ta mbajnë mend këtë ditë, e cila ju krijon emocione dhe u jep energji pozitive për statusin e qytetarit akademik që e fitojnë e që njëkohësisht është edhe përgjegjësi qytetare.

“Ju paraqitni kapitalin më të fuqishëm ekonomik e social, profesional dhe intelektual me të cilin ky institucion kontribuon në shoqërinë tonë. S’ka edhe një projekt tjetër më vete, për këto tre dekada nga tranzicioni shoqëror, politikë e ekonomikë, që aq shumë i kontribuoi gjithsecilit individualisht, familjeve tuaja dhe shoqërisë në përgjithësi.” , theksoi Rektori Bexheti.

Rektori Bexheti u tha absolventëve se UEJL-i po vazhdon rrugëtimin e rritjes, jo vetëm në parametrat akademik, profesional e shkencor, por edhe në ato të populacionit të studentëve, në diversitetin e ofertave programore, por edhe në krijimin e fakulteteve të reja.

“Kemi për detyrim t’Ju bëjmë krenarë për Alma-Mater-in Tuaj, sepse diplomën dhe emblemën tonë institucionale, do ta mbani përjetë. Ju mund të mbindërtoni dijet, të fitoni diploma dhe tituj tjerë, por dijet dhe diploma bazë që jua ka hap horizontet tjera në jetë gjithë jetën mbetet UEJL-i.”, theksoi mes tjerash Rektori Bexheti.

Në emër të gjeneratës, fjalim mbajti studentja me note më të lartë mestare Rina Behadini.

„Unë qëndroj këtu para jush, së shpejti e diplomuar në shkenca kompjuterike, e punësuar tashmë dhe gati për sfidat e së nesërmes. Dua të falënderoj të gjithë ata që e kanë bërë shumë të bukur këtë udhëtim dhe mbi të gjitha dua t’i inkurajoj moshatarët e mi të vazhdojnë t’i ndjekin ëndrrat. “, tha në fjalimin e saj Rina Behadini.

Për anën artistike të Ceremonisë u kujdesën Prof. Agim Poshka, që këndoi këngën e Universitetit “Zëri i dijes” dhe artistët e ri nga Tetova, Lulesa Pajaziti dhe Labinot Abdyrahmani.

Google+