Në hapjen e Panairit, në cilësinë e partnerit të këtij projekti mori pjesë rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, zëvendëskryeministri Fatmir Bytiqi, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trnçevska, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përfaqësues të UNDP-së dhe mysafirë të tjerë.
“Universitetet janë ato që duhet t’i identifikojnë dhe tu paraprijnë problemeve me kohë, që politikbërësit të mund të ngrenë iniciativa, t’i ndërtojnë politikat e tyre. Ne, si universitet këtë e dëshmuam, duke hapur Qendrën e Karrierës, që në vitin 2005. Njëjtë, ne si ekspertë dhe si Universitet paralajmëruam, që në vitin 2015, për asimetrinë e tregut të punës. Universiteti e ka patur, e ka dhe vazhdon ta ketë brengë numër një” ikjen e trurit”, jo vetëm për studentët e vet, jo vetëm për programet formale që i ka brenda tij, por edhe nevojën e trajnimeve permanente, andaj falënderojmë shumë donatorët, Ambasadën e Zvicrës, UNDP dhe dy komunat e Pollogut, Tetovën dhe Gostivarin, për mbështetjen e hapjes së Qendrës iCan”, tha mes tjerash rektori Bexheti në diskutimin panel, që u organizua në kuadër të Panairit.
Qëllimi i Panairit është lidhja direkte të të rinjve të papunë me sektorin privat nga Rajoni i Pollogut dhe plotësimi i vendeve të lira të punës në disa industri, si dhe nxitja e debatit për krijimin e modelve të duhura për aktivizimin e rinisë në tregun e punës.
Ngjarja u pasua nga disa panele lidhur me tregun e punës dhe fuqinë punëtore.
