Në konferencë, morën pjesë ekspertë të njohur të fushës dhe udhëheqës të institucioneve publike, si: ministri i Financave, Prof. Dr. Fatmir Besimi, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Mr. Admirim Aliti, MA Shqipe Neziri-Vela, nga Universiteti Amerikan i Kosovës (RIT) dhe Prof. Dr. Neven Duiç, nga Universiteti i Zagrebit.
Konferencën e shpalli të hapur rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili foli për temën “Ekonomia e gjelbër”.
“Dilema jonë kur vendosëm ta përcaktojmë temën e konferencës ishte se a jemi të përgatitur që për temën kryesore të prodhojmë punime shkencore. Këtë çështje e diskutuam dhe në këshillin e fakultetit dhe sugjerimi im ishte se duhet të fillojmë nga diçka. Pra, për ta promovuar këtë edhe pse jemi vonë krahasuar me trendet botërore, posaçërisht në Evropën Perëndimore. Për këtë qëllim kemi ftuar folës shumë të respektuar, siç është Prof. Duiç nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.”, tha rektori Bexheti, në fjalën e tij të hapjes.
Roli i universiteteve është kryesorë për të adresuar këtë çështje dhe për t’i treguar nevojat, kurse detyra e politikës dhe institucioneve publike është të bëjnë atë që munden. Shkenca dhe politika duhet të bashkëpunojnë dhe të gjejnë kompromis për të zgjedhur modelin më të përshtatshëm të ekonomisë së gjelbër, potencoi Rektori Bexheti.
Për gjendjen aktuale në vend, rajon dhe botë në aspektin e aktiviteteve që po ndërmerren nga institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, rektori Bexheti, prezantoi një përmbledhje me të dhëna empirike, me theks të veçantë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, prezantoi për temën “Financat dhe Qëndrueshmëria”, ku e theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë financiare të ekonomisë së gjelbër.
Për temën “TIK dhe Mjedisi Jetësor”, prezantoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti, i cili e potencoi rëndësinë e TIK-ut në përmirësimin e mjedisit jetësor.
Shqipe Neziri – Vela, prezantoi për temën “Gratë, drejtuese të tranzicionit të energjisë”, e cila prezantoi të dhëna për rolin e grave dhe pjesëmarrjen e tyre në institucione rregullatorë të energjetikës në Kosovë.
Prof. Dr. Neven Duiç nga Universiteti i Zagrebit, foli për temën “Tranzicioni energjetik dhe ekonomia e gjelbër”, ku prezantoi të dhëna për varësinë e vendeve të rajonit nga sigurimi i burimeve energjetike dhe tregoi kahet se në cilin drejtim duhet të orientohen ekonomitë vendore.
Me punimet e tyre, në konferencë u prezantuan edhe stafi akademik i FBE-së dhe FSHTB, ku u prezantuan punime shkencore me të dhëna konkrete për rolin e shkencës në përmirësimin e mjedisit jetësor dhe ndikimi i masave mjedisore në ekonominë vendore dhe botërore.