Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

UEJL dhe Banka Popullore do të krijojnë programe të reja studimore për politikat makroekonomike dhe sistemin monetar e financiar

Krijimi i kuadrove të reja cilësore në fushën e makroekonomisë dhe financave dhe përparimi i veprimtarisë hulumtuese, ishte qëllimi kryesor i nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) dhe Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, që u realizua sot (6 prill 2022), në Kampusin e Universitetit në Tetovë.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti dhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska – Bezhovska. Në kudër të delegacionit të Bankës Popullore që e vizitoi UEJL-në ishte edhe zëvendësguvernatori Fadil Bajrami.

“UEJL është i vetëdijshëm për rolin arsimor dhe kërkimor në kapitalin njerëzor dhe social, ruan dhe zhvillon përkushtimin në rritje për të kontribuar në komponentin më të rëndësishëm dhe sfidues për momentin, atë të burimeve njerëzore, jo vetëm në aspektin sasior, por mbi të gjitha në atë cilësorë, si dhe përcaktimin e profileve të nevojshme me njohuri specifike të tregut të punës.”, tha rektori Bexheti.

Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë së UEJL-së ka vite që e zbaton praktikën me ligjërues vizitorë të fushës, veçanërisht me ekspertë nga Banka Popullore, por sot ne e zyrtarizojmë bashkëpunimin ekzistues me aktivitete konkrete, ku stafi i Bankës Popullore dhe akademikët e UEJL-së do të japë një kontribut konkret për hartimin e programeve të reja studimore për nevojat e politikës makroekonomike, të sistemit monetar dhe financiar, të cilat do të realizohen nëpërmjet organizimit të takimeve, tryezave të rrumbullakëta, konsultimeve dhe formave të tjera të bashkëpunimit.

“Kjo dëshmon edhe një herë për vendosmërinë e fortë të Universitetit për të ofruar programe studimi cilësore të bazuara në analiza solide dhe të mbështetura nga komuniteti më i gjerë dhe institucionet përkatëse në vend.”, theksoi Rektori Bexheti.

“Përmes bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë, siç është Universiteti i Evropës Juglindore, ne duam të krijojmë një sinergji, përmes së cilës punonjësit tanë do të jenë mbështetje për qëllimin e tyre kryesor – veprimtarinë arsimore, ndërsa profesorët e UEJL-së, do të jenë mbështetje në një pjesë të hulumtimit tonë. Banka Qendrore, si një institucion që kryen punë hulumtuese dhe analitike, po ndërton partneritete që do të kontribuojnë në këtë drejtim”, tha guvernatorja Anita Angellovska - Bezhovska.

Memorandumi parashikon angazhimin e ekspertëve të Bankës Popullore në cilësinë e ligjëruesve të ftuar në Universitetin e Evropës Juglindore, përfshirjen e studentëve për kryerjen e intership-it dhe disa aktivitete të tjera të përbashkëta.

Google+