Në panel, përveç ministres Haxhiu ishin edhe prodekania e Fakulteti të Drejtësisë, Arta Selmani – Bakiu, përfaqësuesja e OJQ “Mollëkuqja”, Rita Behadini, Terapeutistja familjare me banim në Londër, Adelina Badivuku, profesoresha Vedije Ratkoceri dhe Nermine Izairi, inspektore e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Panelin e shpalli të hapur, prodekania Arta Selmani, e cila foli për aktivitetet që ndërmerr Fakulteti i Drejtësisë në drejtim të edukimit dhe profesionalizmit të kuadrove të ri në mbrotjen e të drejtave të njeriut dhe në veçanti të drejtave të grave.
Ministra e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, falënderoi Fakultetin e Drejtësisë dhe menaxhmentin e UEJL-së për ftesën për të qenë pjesë e kësaj ngjarje kaq të rëndësishme. Vetëm me bashkërendim të aktiviteteve të të gjitha palëve e në radhë të parë të institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare mund të luftohet dhuna në familje, tha ministrja Haxhiu.
Për rastet në botë dhe statistikat tjera të dhunës familjare me të dhëna konkrete foli terapeutistja e njohur Adelina Badivuku.
Profesoresha Vedije Ratkoceri, foli për rëndësinë që UEJL dhe Fakulteti i Drejtësisë i japin edukimit të brezit të ri. Ajo theksoi faktin se janë akredituar shumë lëndë që trajton dhunën familjare, me qëllim vetëdijesimin dhe pajisjen e studentëve me njohuri solide për të trajtuar rastet e dhunës në familje dhe eliminimin e saj.
Për rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare në përgjithësi, foli Nermine Izairi, e cila prezantoi disa të dhëna për veprimet e ndërmarra nga Ministria e Punëve të Brendshme për të reaguar në kohë në rastet e dhunës ndaj grave. Për aktivitet që ndërmerr Organizata Joqeveritare “Mollëkuqja”, fushatat që ajo organizon në rrjetet sociale por edhe më gjerë, foli Rita Behadini.
Paneli u moderua nga studentja e Fakultetit të Drejtësisë Era Mehmetaj.