
Sot, Universiteti i Evropës Juglindore përbën një miks shumë pozitiv me statusin e tij ligjor si universitet privat-publik jofitimprurës. Kjo, para së gjithash vjen si rezultat i faktit se ky universitet u bë një promotor i fuqishëm i përçimit të frymës së tolerancës, në respektimin e shumëgjuhësisë dhe larmisë kulturore në mësimdhënie dhe në hulumtimin shkencor, gjithnjë duke i zhvilluar programet mësimore në një perspektivë të gjerë ndërkombëtare dhe evropiane.
Duke i pasur parasysh rrethanat e sotshme në hapësirën e arsimit sipëror në Republikën e Maqedonisë dhe në rajon, në aspekt të ofertave të ndryshme me programe studimore, Bordi i Universitetit, përmes Strategjisë zhvillimore ka vendosur që misioni i Universitetit të mbetet i pandryshuar, duke vazhduar synimet për kontributdhënien në sferën e arsimit sipëror në gjuhën shqipe, bazuar në një politikë ”fleksibile” të përdorimit të gjuhëve, duke e ruajtur karakterin shumëkulturor, me programe studimore, në suaza të standardeve bashkëkohore ndërkombëtare. Në këtë Strategji, janë përcaktuar edhe dy prioritete, që e garantojnë realizimin me sukses të misionit tonë përmes: Cilësisë dhe qëndrueshmërisë afatgjate financiare.
Përsa i përket pjesës akademike, një ndër përparësitë që e dallon Universitetin e Evropës Juglindore nga universitetet tradicionale në vend dhe në rajon është aftësia për zhvillimin e vazhdueshëm të programeve studimore sipas një procesi të ingranuar mirë, nga ana e të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces. Procesi i zhvillimit të programeve studimore ndjek rekomandimet e standardeve ndërkombëtare të përshkruara në dokumentet që bazohen në Deklaratën e Bolonjës si dhe në praktikat më të mira të universiteteve më të suksesshme ndërkombëtare.
Kështu, tashmë me sukses kemi hyrë në vitin e dytë akademik të funksionimit të disa programeve studimore të disperzuara në Shkup, përfshi këtu edhe ofertën e programeve studimore në gjuhën angleze. Në suaza të një partneriteti me institucionet e arsimit të lartë nga Evropa dhe SHBA-të, po realizojmë edhe programe të reja studimore, siç është rasti me diplomën e dyfishtë me Universitetin prestigjioz të Londrës - London School of Economics, si dhe projekte të ndryshme shkencore.
Që nga themelimi i UEJL-së, nuk ka munguar përkrahja e gjithë komunitetit ndërkombëtar, ku me ndihmën e ofruar na ka inkurajuar në vazhdimësinë e aktiviteteve tona për të arritura të reja të UEJL-së. Gjithashtu, ajo që ka po kaq rëndësi është edhe fakti se universiteti ynë (nga viti 2001 e këndej), gradualisht tregoi se është duke e realizuar misionin e paraparë. Përveç pikës themelore të misionit, që t’i kontribuojë arsimit të lartë në gjuhën shqipe, që tashmë mbase është evident, me kohë, u realizuan edhe aspekte të tjera, të cilat bënë që institucioni ynë të jetë model i ri dhe cilësor i arsimit të lartë në Maqedoni, por edhe më gjerë në rajon.
Në vitin që vjen, do të vazhdojmë edhe më tej me hapjen e institucionit tonë, jo vetëm me mjedisin për rreth, ku presim ta bëjmë Eko-kampusin, studimet e doktoraturës, studimet në distancë, pastaj objektin e sallës sportive, por edhe duke e bërë zgjerimin e kapaciteteve tona infrastrukturore me ndërtimin e qytezës universitare në Shkup.
Për fund, dua të nënvizoj faktin se harmonizimi i standardeve dhe valorizimeve të dijes evropiane me nevojat dhe kërkesat tona, është një provë e suksesshme e UEJL, prandaj ajo që quhet obligim madhor për ne, tani për tani, është që të vazhdojmë të jemi edhe më tej lider të vlerave dhe standardeve arsimore e akademike në rajon.
Gëzuar Vitin e Ri – 2010!