Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Debat për 20 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit- Kuadri i UEJL -së gardian të pashtershëm i kapacitetit njerëzor për realizimin e plotë të kësaj marrëveshje

Në kudër të debateve për shënimin e 20 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, sot (11 gusht 2021), në Universitetin e Evropës Juglindore, në Tetovë, u mbajt panel diskutimi me temë: “Pas dy dekadave, a është MO kornizë e ngushtë për një shoqëri plotësisht të hapur e të barabartë”.

Debati u organizua në bashkëpunimin me Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie me Bashkësitë të RMV-së në kryesim te Zv.Kryeministrit të parë te Qeverisë se RMV, z.Artan Grubi, ndërsa merrnin pjesë edhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, staf akademik dhe studentë të Universitetit të Evropës Juglindore.

Në cilësinë e nikoqirit, ngjarjen e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti. Ai e falënderoi zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dr. Artan Grubi, për ftesën që UEJL të jetë pjesë dhe kontribues në debatet për shënimin e 20 vjetorit të kësaj marrëveshje.

“Po të reflektojmë rreth Marrëveshjes së Ohrit, do të vërejmë se ka tre lloje vlerësimesh. Njëri vlerësim është se kjo Marrëveshje kryesisht është realizuar, tjetri që është vlerësimi nihilist, ose mohues, pra se kjo marrëveshje ka dështuar në shumë aspekte dhe vlerësimi më realist, i bazuar në evidenca dhe studime objektive, konkludon se kjo marrëveshje ka shënuar shumë rezultate në avancimin e pozitës dhe të barabarësisë së shqiptarëve, por se ka ende aspekte të saj që nuk janë realizuar tërësisht”, tha në fjalimin e tij Rektori Bexheti.

Duke respektuar të gjitha vlerësimit, Rektori shprehi vlerësimin e akademisë dhe atë personal lidhur me MO-në, duke veçuar disa aspekte se pse kjo Marrëveshje është e ngushtë për një shoqëri plotësisht të barabartë. Tre jane arsyet pse ajo konsiderohet Kornizë e ngushtë: e para, është preambula kushtetuese, e cila bartësit e suverenitetit i diferencon, ne ato nacional (maqedonasit etnik) dhe tjerët, ku fatkeqsisht i radhit edhe shqiptarët. E dyta, është normativi i ngushtë kushtetues, që shkakton nevojat për rishikime të ligjeve që rregullojnë marëdhënie tjera ndëretnike (si ai i përdorimit të gjuhëve dhe të ngjashëm me atë). E treta ka të bëjë me kapacitetin e limituar të sistemit të koncesualitetit, pra sistemit të votimit të dyfisht.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Bashkësitë në Qeverinë e RMV-së, Dr. Artan Grubi, shprehu kënaqësinë që UEJL është pjesë e festimeve dhe debatit me rastin e shënimit të 20 vjetorit të nënshkrimit të MO-së. Ai gjithashtu falënderoi stafin akademik për kontributin, debatin dhe kritikat konstruktive të prezantuara në këtë panel diskutimi.

“Ky universitet i ka dhënë dhe i jep kuadro cilësore shoqërisë sonë, të cilët janë gardian të pashtershëm të kapacitetit njerëzor për realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, tha zëvendëskryeministri Grubi.

E shfrytëzoj këtë rast, tha Grubi, për të falënderuar të gjithë ata burra e gra që e filluan procesin e lirisë dhe barbarësisë së plotë të shqiptarëve që në vitin 1991, e vazhduan në vitin 2001 dhe të gjitha ata që e vazhduan deri më sot.

“Marrëveshja e Ohrit është një proces që ka filluar, por që asnjëherë nuk do të ketë fund, pasi është një proces në vazhdimësi, ashtu siç është edhe lufta për barazi të plotë. “, u shpreh mes tjerash zëvendëskryeministri Grubi.

Aspekte ekonomike të decentralizimit fiskal prezantoi ministri i Financave i Qeverisë së RMV-së, Fatmir Besimi, i cili e cilësoi si proces qendror dhe kryesor të MO-së. Ai tha se synimi ynë është që rreth 10% e Bruto Prodhimit Vendor të kaloj në administrim të pushtetit lokal edhe pse aktualisht kjo shifër është rreth 5%.

Në këtë panel, pikëpamjet e tyre i shprehën edhe shumë staf akademik dhe studentë të Universitetit, të cilët i veçuan sukseset e MO-së, por edhe prezantuan, rekomandime, zgjidhje konkrete dhe mënyra se si disa nga ngecjet në zbatimin e kësaj marrëveshje mund të tejkalohen dhe të zbatohen me efikasitet.

Ministrat, Naser Nuredini, Kreshnik Bekteshi dhe Jeton Shaqiri konkretisht iu përgjigjën pyetjeve dhe dilemave të ngritur nga stafi akademik në këtë debat.

Me pyetje në debat u inkuadruan edhe studentët dhe përfaqësues të Parlamentit dhe Asociacionit Studentor të UEJL-së, pjesëmarrës në këtë ngjarje.

Google+