Projekti "ESPLORADO", që do të thotë "eksplorim" në gjuhën esperanto, parasheh një qasje në dy faza: e para, e cila ka karakter eksplorues, me qëllim të kuptimit të ndërsjellë mes institucioneve pjesëmarrëse dhe fushëveprimit të tyre përkatës, ndërsa e dyta që përmban aktivitete të cilat synojnë kyçjen e studentëve dhe profesorëve-kërkues shkencorë, me qëllim të shtrirjes së aktiviteteve dhe hapjes së perspektivave drejt zhvillimit më të përparuar të bashkëpunimit.
ESPLORADO përbën një kaptinë të re në portfolion e projekteve të Universitetit të Evropës Juglindore, meqenëse ndryshe nga përvoja e deritanishme, është një projekt bilateral. Po ashtu, ky projekt është pjesë e strategjisë së Francës për Ballkanin Perëndimor, miratuar nga Presidenca e Republikës Franceze në Mars 2019, sipas së cilës arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor duhet të formojnë një aspekt të përbashkët të diplomacisë së butë franceze, me synimin për një angazhim dypalësh të ripërtërirë të Francës në këtë rajon.
Projekti pritet të fillojë në vjeshtën e këtij viti dhe do të mbarojë në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
