Dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, dr. Demush Bajrami, tha se ky libër paraqet një libër autobiografik, të përcjellë me një vështrim përmbledhës të ecurisë dhe përvojës së autorit në fushën e arsimit. “Kjo është dëshmi e kontributit dhe rolit modest që ka patur profesor Bardhyl Musai, në zhvillimin e arsimit në këto tri dekadat e fundit”. Sipas prof. Bajramit, këtë libër autori e shkruar për të nxjerrë në pah periudhat më dinamike të zhvillimit të arsimit pas vendosjes së demokracisë, e cila ende sot e kësaj dite vazhdon të jetë e brishtë.
Zëvendësministri i Arsimit, Prof. Arafat Shabani, tha se ky libër flet për tërë karrierën e pandërprerë arsimore prej më shumë se dyzet vjetësh të prof.. Musait, të ndërtuar me përpjekje e sakrifica; gjatë tërë këtyre viteve, duke synuar që të përvijojë jetën e një njeriu jokonformist, të papajtueshëm me status quo-në, e që moto të veprimtarisë së tij kishte ndryshimin, pa u bërë pjesë e kategorisë së “yes persons”, theksoi prof. Shabani.
Autori i librit, Prof. Bardhyl Musai, në fillim e vendosi theksin tek puna e çmuar që po bën Universiteti i Evropës Juglindore, duke thënë se është krenar që ndodhet pikërisht në bibliotekën e këtij universiteti, të cilën, siç tha ai, edhe në konferenca ndërkombëtare e ka përmendur si bibliotekën më të mirë në Ballkanin Perëndimor.
Duke folur, për librin e tij, prof. Musai tha se ai përmbush disa qëllime njëherazi. “Por, më kryesoret mbeten ato për të cilat punonjësit e sektorit të arsimit e kanë të domosdoshme: të evidentojnë arritjet dhe përvojat pozitive, të mësojnë nga gabimet që janë kryer në sistem, por edhe t’i shërbejë kujtesës institucionale, pasi në traditën tonë qeverisëse, për fat të keq, çdo gjë fillon nga e para, sapo kryhet rotacioni i pushtetit”. Sipas prof. Musait, burim frymëzimi në përgatitjen e këtij libri, kanë qenë qindra e mijëra njerëz, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, në trojet shqiptare dhe në shumë vende të botës, të cilët autori i ka takuar në dhjetëra konferenca, seminare, simpoziume e tryeza të rrumbullakëta. “Ata më kanë mësuar të kuptoj më mirë dhe të respektoj kompleksitetin e arsimit, në mënyrë të veçantë, të ndryshimeve në arsim”, tha, ndërmjet tjerash, prof. Musai.
