COVID-19 Information and Protocol

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Diplomoi gjenerata e shtatëmbëdhjetë e absolventëve të UEJL-së

Universiteti i Evropës Juglindore, sot (12 qershor 2021), mbajti Ceremoninë e Diplomimit të Absolventëve të gjeneratës së shtatëmbëdhjetë. Në këtë manifestim të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ambasadori i Sllovenisë, Millan Predan, si dhe prindër e familjarë të shumtë të absolventëve të UEJL-së, të cilët i hodhën kapelat simbolikisht, për të shënuar përfundimin e ciklit të parë të studimeve të tyre.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, shprehu kënaqësinë e tij për arritjet e deritanishme të absolventëve, duke i vlerësuar ata si kapitalin më të fuqishëm social, profesional dhe intelektual me të cilin ky institucion kontribuon intelektualisht në shoqërinë tonë. Ai tha se s’ka edhe një projekt tjetër më vete, për këto tre dekada nga tranzicioni shoqëror, politikë e ekonomikë, si UEJL që aq shumë i kontribuoi gjithsecilit individualisht, familjeve tuaja dhe shoqërisë në përgjithësi. Ai vlerësoi se ky kontribut, përpos sakrificave të prindërve, para së gjithash i dedikohet edhe bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të gjitha strukturave të kohës që morën pjesë në krijimin e këtij Institucioni.

“Diploma Juaj paraqet pasaportën më të besueshme edhe për tregun Perëndimor, qoftë për të vazhduar me ngritjet akademike, profesionale, por edhe për të aplikuar në tregun e punës. Е kuptoj, por nuk e arsyetoj preferencën Tuaj për t’i mësy Perëndimit me çdo kusht! Për ata që dinë dhe duan, të jeni të sigurt që edhe këtu mund të fitohet dhe jetohet mirë. Kjo, aq më tepër, në vitet që vijnë. Sot, jemi anëtare e NATO-s dhe me status negocimi për në BE, që paraqet perspektivë e mundësi të mirë, por edhe sfidë për konkurrencë gjithnjë e më cilësore, ku dijet dhe kompetencat do jenë çelës i suksesit Tuaj në karrierë.”, tha mes tjerash në fjalimin e tij drejtuar absolventëve, rektori Bexheti.

Kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Klaus Tohterman, i cili nëpërmjet linjës online mori pjesë në Ceremoni, në fjalimin e tij, drejtuar absolventëve e vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të studiuar.

“Dita e sotshme është shumë e rëndësishme në jetën tuaj. Sot bëhet fjalë për ju dhe të ardhmen tuaj. Një pjesë e rëndësishme e së ardhmes sonë do të formësohet nga digjitalizimi. Si një universitet inovativ, UEJL e ka njohur këtë ndryshim dhe është përgjigjur duke ofruar programe të reja studimi me një fokus të fortë në shkathtësitë digjitale. Këtu përsëri duhet të falënderojmë të gjithë donatorët tanë dhe Qeverinë për mbështetjen e tyre.”, tha kryetari i Bordit Tohterman.

Me fjalim rasti absolventëve të UEJL-it iu drejtua edhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili e vlerësoi UEJL-në si një institucion me kapacitet intelektual dhe shkencor për tu përballur me sfidat më të vështira të kohës.

“Ju jeni të gatshëm, të pajisur me dituri dhe me gjithë atributet që i krahasojnë studentët e suksesshëm, të ballafaqoheni me jetën, me sfidat që i sjell jeta dhe gjerat e reja dhe të panjohura që do i hasni në jetën tuaj profesionale.”, theksoi në fjalimin e tij, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, tha se përgjegjësia e studentëve ndaj universitetit nuk mbaron këtu dhe në këtë ditë. Ata duhet t'i kthehen përsëri dhe përsëri dhe t'i përgjigjen çdo kërkese të tij. Thjesht, universiteti duhet të rritet me studentët aktualë, por edhe me studentët tashmë të diplomuar, gjegjësisht alumnin.

“Qëllimi i përbashkët i institucioneve të arsimit të lartë dhe institucioneve të sistemit është të krijojnë politikat arsimore dhe të stimulojnë zhvillimin e të rinjve dhe realizimin e potencialit të tyre të plotë.”, i porositi absolventët e UEJL-it, ministrja Carovska.

Gjatë ceremonisë u promovuan edhe studentët më të mirë të gjeneratës dhe në emër të tyre fjalim mbajtën, Melike Isenova dhe Neda Josifovska.

Për anën artistike të Ceremonisë u kujdesën artistët Nita Reçi, Vullnet Neziri dhe Arbër Tairi, të cilët enkas për këtë ditë kishin përgatitur dy pika artistike që u pritën me ngazëllim nga absolventët.

Pas përfundimit të Ceremonisë, u mbajt edhe manifestimi tradicional “Dita e Hapur”, ku studentë potencial prindër dhe të tjerë të interesuar patën mundësi të njihen me ofertën akademike të UEJL_së për vitin e ri akademik 2021-22.

Departamenti i Sportit dhe Parlamenti Studentor u kujdesën për anën artistike dhe sportive të “Ditës së Hapur”.

Klikoni linkun në vazhdim për Foto Galerinë.

Google+