Konferenca u organizua nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore i UEJL-it.
Fjalim mirëseardhje mbajti Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili e çmoi lart rolin që po luan akademia në drejtim të studimit të funksionimit të ligjit dhe qeverisjes në kohën e pandemisë.
Folës kryesor të konferencës ishin: Prof. Rudina Jasini, nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Oksfordit dhe Prof. Anamarija Musa, nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Zagrebit. Fjalim rasti mbajtën dekani i Fakulteti të Drejtësisë, Prof. Dr. Adnan Jashari dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, Prof. Dr. Memet Memeti.
Konferenca u mbajt në katër sesione, ku u prezantuan punime shkencore në temat si: “Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në kohë pandemie”, “Sfidat dhe mundësitë e qeverisjes në epokën e pandemisë”; “Normaliteti i ri social” dhe “Administrimi i drejtësisë në kohën e pandemisë”.
Pjesëmarrësit në konferencë prezantuan punime shkencore dhe treguan praktika të mira të sundimit të ligjit dhe qeverisjes në kohë pandemie.
