Te “Fjalori i sociologjisë” është dhënë leksioni bazë i çdo fjale të rëndësishme, i çdo koncepti të sociologjisë. Ai jo vetëm liston, por edhe shpjegon. Ai ilustron me variante përdorimesh, referuar autorëve “shpikës” të fjalës apo konceptit të dhënë sociologjik apo edhe përdoruesve të tjerë të specializuar. Ai e ka “lakuar” fjalën sociologjike në variante të ndryshme përdorimesh.Autori nuk është kufizuar vetëm në disa koncepte bazë të sociologjisë. Prof. Dr. Ali Pajaziti i është përmbajtur një parimi, të cilin Joan Scott e Gordon Marshall, bashkautorë të “Oxford Dictionary of Sociology” (2005), në parathënien e tyre e kanë formuluar kështu: “Sociologjia ka një bërthamë teorike të qartë, por një perimetër krejtësisht të papërcaktuar”.
“Fjalori i sociologjisë” është një vepër që i përgjigjet një perimetri të gjerë të sociologjisë, e cila, si çdo shkencë, është në zhvillim të pandërprerë. Për më tepër, “Fjalori i sociologjisë” nuk i shërben vetëm sociologut, studentit të sociologjisë apo atij që është i interesuar posaçërisht për dijen sociologjike. Ai i shërben edhe individit të interesuar për “simotrat” e sociologjisë. Në të janë dhënë edhe fjalët me përdorimin më të dendur dhe konceptet bazë të shkencave politike, të psikologjisë, historisë, antropologjisë etj., apo të nëndegëve të tyre.