Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, e përgëzoi Klubin e Debatit për këtë nismë duke inkurajuar studentet te jenë sa më të përfshirë ne debate të natyrave që tangojnë të tashmen por edhe ardhmërinë e tyre. Këto tema të rëndësisë jetike, tejkalojnë kornizat partiake dhe dallimeve ditore politike.
“Shumica e të rinjve emigrojnë jo vetëm nga kushtet ekonomike, por për shkak se duan ekosistem të qëndrueshëm dhe të shëndosh, sistem më të mirë shëndetësor, shërbime më të mira publike dhe trajtim më të barabartë.”, theksoi rektori Bexheti.
Kryetarët e forumeve rinore të partive politike prezantuan pjesë të programeve politike se si ata mendojnë ta parandalojnë migrimin e të rinjve nga vendi.
Studentët dhe përfaqësuesit e partive politike zhvilluan debat, ku studentët paraqitën mendimet e tyre por edhe parashtruan pyetje rreth mënyrave se si mund të zgjidhet problemi i migrimit të rinisë.
Klubi i Debatit i udhëhequr nga Anila Pajaziti dhe kryetari i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, Agron Demiri ishin nismëtarët për të organizuar këtë debat me forumet rinore, me qëllim të ballafaqimit të mendimit politik rinor dhe studentëve të UEJL-së.
