Ueb faqja ndërkombëtare webometrics.info, në listën e fundit të renditjes së universiteteve në botë, Universitetin e Evropës Juglindore(UEJL), e ka renditur në vendin e dytë, në mesin e universiteteve shqiptare në rajon dhe në vendin e tretë, në mesin e të gjitha universiteteve të Maqedonisë së Veriut.
“Universiteti ynë çdo vit shënon avancim në performancën e tij edhe pse ka parametra të limituar të sasisë. Ne renditemi në mesin e universiteteve më të mira edhe pse shumë nga këto universitete kanë traditë më të gjatë dhe numër më të madh të fakulteteve”, thotë rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.
Krahasuar me periudhën 2019, në rang botëror UEJL ka shënuar rritje prej plotë 286 vende më lartë dhe tani është i renditur në vendin e 3931, ndërsa vitin e kaluar ishte renditur në vendin 4217.
Universiteti i Evropës Juglindore, duke u bazuar në performancën akademike të mësimdhënies, punën kërkimore shkencore ka shënuar ngritje të ndjeshme në ranglistat botërore dhe rajonale, që bëjnë renditjen e universiteteve bazuar në performancën e tyre.