Debati u përqendrua në digjitalizimin e vendit, si dhe për rolin e tij në profesionalizimin e administratës publike, kurse folës në këtë debat ishin ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, Prof. Azir Aliu, si përfaqësues i bashkësisë akademike dhe Boban Milosavleski, përfaqësues i bashkësisë së biznesit.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij tha se ky Universitet është vendi më i duhur dhe më simbolik për të përcjell porosinë e digjitalizimit të vendit. Ne jemi të parët jo vetëm në vend, por edhe në rajon që e kemi zbatuar digjitalizimin në praktik.
“Ky universitet i pari e zbatoi dhënien e indeksit elektronik, por ishte dhe është nismëtarë edhe i shumë platformave dhe aplikacioneve për digjitalizimin e mësimdhënies. “, tha rektori Bexheti.
Ministri Damjan Mançevski e prezantoi platformën digjitale për shërbime publike uslugi.gov.mk dhe paralajmëroi digjitalizimin e plotë të administratës.
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, foli për bashkëpunimin mes dy pushteteve për t’iu mundësuar qytetarëve shërbime cilësore dhe në kohë.
Debati në Universitetin e Evropës Juglindore ishte i dyti në kuadrin e debateve publike që pritet të mbahen në qytetet kryesore të vendit.
