COVID-19 Information

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Në UEJL promovohet libri “Enciklopedia-reagime”

Në UEJL të martën (24 nëntor 2009) u bë promovimi i librit “Enciklopedia-reagime”, nga gazeta e përditshme “Koha”, ku ishin të pranishëm akademikë, shkrimtarë dhe intelektual të njohur.

Abdylmenaf Bexheti, prorektor për çështje financiare dhe zhvillim fizik i UEJL, në fjalimin e tij përshëndetës në emër të rektorit të UEJL,  tha se universiteti nuk ka qenë indiferent ndaj ngjarjeve që kanë pasuar pas botimit të Enciklopedisë. Reagimi ynë ka qenë shumëdimensional, duke filluar nga reagimi institucional deri te reagimet e autoriteteve intelektuale të pranishëm këtu. Ai ofroi përkrahjen e UEJL për botimin e një enciklopedie tjetër, të bazuar në fakte të vërteta shkencore. “Për këtë qëllim UEJL ofron përkrahjen institucionale, të burimeve njerëzore, bile edhe financiare, që të bëhet një vepër, e cila do të ketë qasje të vërtet shkencore”, tha Bexheti. Ai tha se, nuk duhet të bëjmë veprime kontraproduktive, duke vepruar ngjashëm dhe marrëzisë t’i përgjigjemi me marrëzi. Marrëzisë duhet t’i përgjigjemi me një vepër të vërtet të bazuar në faktet e vërteta shkencore.

Politikani dhe shkrimtari i njohur nga Shqipëria, Sabri Godo, tha se botimi i këtij libri paraqet “një eksperiencë unike në gazetarinë shqiptare”. Ai tha se ky incident, që ndodhi me enciklopedinë është çështje e mbyllur, sepse ata që e përkrahën u tërhoqën përball një reagimi të fuqishëm shoqëror dhe politik shqiptar.

Ajo që shqetëson më së shumti në këtë Enciklopedi është prirja e ndjelljes së urrejtjes, tha akademik Ali Aliu. “Ajo që më shqetëson më së shumti është se ai libër i Enciklopedisë është vetëshkatërrues për shoqërinë dhe ajo urrejtje në vend që të zhduket dhe fshihet, ajo herë pas here fillon të thellohet”, tha akademiku Aliu.

Akademiku nga Kosova, Esat Stavileci, tha se çështjen e Enciklopedisë e ka ngritur edhe në nivel të Akademisë Evropiane të Shkencës.“Unë mendoj se puna do t'ju ngelet institucioneve që të përgjigjen me forcën e argumenteve ndaj të pavërtetave që përmban kjo Enciklopedi. Nuk është shkencë ajo që i ngre përmendore politikës e as ajo që politika i ngre përmendore shkencës”, tha mes tjerash akademiku Stavileci.

Analisti dhe gazetari, Branko Gerovski tha se shkenca maqedonase me këtë Enciklopedi-pamflet humbi besueshmërinë para opinionit ndërkombëtarë.

Në këtë libër janë përmbledhur tekste që janë botuar në gazetën “Koha”, tekste këto që kanë të bëjnë me reagimet e analistëve, politikanëve, institucioneve të ndryshme rreth botimit të enciklopedisë maqedonase.

Google+