“Nëntori është muaj i spikatur i historisë së komunitetit tonë, kur shënohen data të rëndësishme kombëtare. Sot, ne e festojmë 18-të vjetorin e themelimit të Universitetit tonë, kurse nesër e shënojmë 111 vjetorin e Alfabetit të Unifikuar të Gjuhës Shqipe. Dy festa domethënëse dhe pashmangshëm të lidhura me njëra – tjetrën; Universiteti si tempull i arsimimit sipëror dhe Dita e Alfabetit si fondament i intelektualizmit dhe kulturës sonë kombëtare”, tha në fjalimin e tij rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.
Duke folur për zhvillimet e fundit në Universitet, rektori Bexheti, tha se kemi arritur të ndalojmë trendin rënës të numrit të studentëve të regjistruar, që zgjati 10-të vjet.
“Sivjet është viti i dytë akademik, që në studimet e ciklit të parë arrijmë rritje 10% të studentëve të regjistruar, bile mbi rritjen prej 7% të vitit të kaluar. Kumulativisht, për dy vite akademike, rezulton rritje rreth 20%, përkundër të gjitha trendëve rënëse, nga nataliteti e deri te emigracioni.”, tha rektori Bexheti.
Në fjalimin e tij rektori falënderoi taksapaguesit e SHBA-ve për mbështetjen e dhënë nëpërmjet partnerit strategjik Universitetit Indiana dhe projekteve të realizuara në bashkëpunim me USAID.
Kultura e etabluar në ndryshime permanente përfshinë edhe zhvillimet e menaxhmentit të bazuar në parimin e kombinimit të ekselencës dhe rëndësisë. Kjo e përcakton edhe kursin e trajektores sonë të bazuar në katër shtylla: cilësia e përgjithshme, internacionalizimi, ekselenca në mësimdhënie dhe hulumtime dhe identiteti institucional.”, theksoi rektori Bexheti.
Ne, do ta vazhdojmë rrugën e përkushtimit tonë për standarde cilësie, fleksibilitet karshi tregut, vlera multikulturore, internacionalizim e digjitalizim permanent, bashkëpunim ndëruniversitar në vend dhe jashtë, gjithnjë duke u bazuar në punën tonë të palodhshme, si dhe duke shpresuar në mbështetjet institucionale, si ndërkombëtare ashtu edhe vendore, tha mes tjerash rektori Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij në këtë manifestim solemn.
Në fjalimin e tij kryetari i Bordit, Prof. Dr. Denis Farington, evokoi kujtime nga dita themelimit të Universitetit dhe rrethanat në të cilat u krijua dhe se të gjithë ishin plot entuziazëm për projektin tonë.
Lidhur me të ardhmen e Universitetit, kryetari i Bordit Denis Farington, tha se “Ne, e shohim veten jo si një entitet i veçantë që garon me institucione të tjera për të pasur sukses sipas kritereve kombëtare të përcaktuara ngushtë, por si pjesë integrale të ekologjive lokale të të mësuarit, të ngulitura thellë në dhe përgjegjës ndaj komuniteteve ku ata shërbejnë. Unë besoj në atë aspekt që ne i shërbejmë mirë Republikave të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe ekonomive të tyre, siç dëshmojnë sukseset e alumniëve tanë “.
Në kuadër të manifestimit të shënimit të përvjetorit të themelimit të Universitetit u realizua edhe promovimi i 26 doktorantëve të diplomuar.
Për anën artistike të manifestimit u kujdes trio e instrumenteve harkore nga Shkupi dhe kori i Universitetit të Tetovës, i udhëhequr nga Prof. Arifikmet Xhemaili.
