“Vizita e administratorit të parë të Programit për Zhvillim të SHBA-ve (USAID), për ne ka një rëndësi të veçantë në aspektin e mirënjohjes së tyre se jemi në rrugë të drejtë dhe se jemi duke bërë gjëra të drejta. Në fakt, kjo vizitë është vazhdimësi e disa vizitave paraprake, që i kemi pasur nga partneri strategjik, Universitetit Indiana, vizita e punës që bënë ata, si dhe pas saj edhe vizita e ambasadores Byrnes.”, tha rektori Bexheti.
Vizita e Z. Green, për ne është në funksion të vlerësimit të kapacitetit institucional, infrastrukturor, akademik dhe hulumtues të Universitetit. Konsiderojmë se një vizitë e nivelit kaq të lartë për ne është kruciale në vigjilje të shënimit të 18-të vjetorit të Universitetit, në momentet kur ne jemi edhe para disa sfidave në rrafshin regjional, siç është emigrimi masiv i popullatës dhe ndikimi në qëndrueshmërinë në të ardhmen.
“Në këtë aspekt, mendoj se jemi në kërkim të mbështetjes strategjike të SHBA-ve për të vazhduar misionin e përbashkët qe e kemi pasur që nga themelimi në vitin 2001.”, tha rektori Bexheti.
Në kuadër të vizitës Z. Green dhe rektori Bexheti bënë një shëtitje në Kampusin e Universitetit dhe më pas morën pjesë në Panairin e kompanive të përkrahura nga USAID në Maqedoninë e Veriut, të cilat kishin ekspozuar veprimtarinë e tyre enkas në Universitetin e Evropës Juglindore.
