Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Vizitë pune dhe ligjëratë e ambasadores Byrnes: UEJL-ja njëri nga universitet më me ndikim në Maqedoninë e Veriut

“Universiteti i Evropës Juglindore, që nga themelimi dhe tani ka rëndësi të madhe në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë së Veriut”, kështu tha ambasadorja e SHBA-ve, SH.S. Kate Marie Byrnes, në ligjëratën e saj që e mbajti sot (6 nëntor 2019) për studentët dhe stafin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

Ambasadorja Byrnes, paraprakisht realizoi një takim me rektorin Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti dhe me prorektorët Prof. Dr. Besa Arifi dhe Prof. Dr. Vladimir Radevski.

Në takimin informues, rektori Bexheti, e njoftoi ambasadoren amerikane për progresin që shënon Institucioni, vizitat nga partneri strategjik dhe vizitat në vijim të javës tjetër nga zyra qendrore e USAID-it ne Uashington. U diskutuan edhe tema të tjera që përfshijnë format dhe mënyrat e vazhdimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes nga SHBA-të.

“Që nga fillimi, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të bashkëpunojnë ngushtë me UEJL, përmes mbështetjes direkte nga qeveria jonë, si dhe përmes partneriteteve me universitetet amerikane. UEJL është bërë një nga universitetet më të rëndësishme dhe me ndikim në vend dhe për të diplomuarit e UEJL –së janë ndër udhëheqësit më të suksesshëm në biznes, akademia dhe shërbim publik në të gjithë Maqedoninë e Veriut,” tha ambasadorja Byrnes Byrnes.

"Universitetet si UEJL kanë qenë kyç për përpjekjet në reformat që janë bërë në Maqedoninë e Veriut," shtoi Ambasadori

Duke folur për rrjedhat e fundit në vend, ajo u bëri thirrje studentëve që para se të mendojnë të ikin nga vendi, mos të lakmojnë të mirat materiale, sepse ditë të mira po vijnë për Maqedoninë e Veriut, duke u kërkuar të jenë pjesë e ndryshimit.

“E ardhmja u takon juve, kurse SHBA-të do të jenë partner me ju dhe vendin tuaj”, tha ambasadorja Byrnes.

Në fund të ligjëratës studentët parashtruan pyetje të ndryshme lidhur me rolin e SHBA-ve në rajon dhe prioritetet e mandatit të ambasadores amerikane në Maqedoninë e Veriut.

Pas ligjëratës ambasadorja Byrnes mori pjesë në hapjen zyrtare të Klinikës ligjore, e cila është mbështetur nga ambasada e SHBA-ve.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij falënderoi taksapaguesit amerikan, të cilët kanë nda mjete për të ndihmuar në realizimin e këtij projekti, i cili nuk është i pari dhe se nuk do të jetë i fundit.

“Shumica e stafit akademik kanë qëndruar për studime dhe trajnime në SHBA në universitetet partnere dhe këtu kanë sjellë qasjen pragamtike në mësimdhënie. Kjo ka bërë që studentët ta bëjnë dallimin dhe të studiojnë në Universitetin tonë, i cili këtë vit ka shënuar 10% rritje të numrit të studentëve të ri të regjistruar.

Prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe hulumtim, Prof. Dr. Besa Arifi, falënderoi SHBA-të dhe ambasadën për tërë angazhimin dhe përkrahjen e dhënë për hapjen e Klinikës ligjore. Ajo po ashtu, falënderoi stafin e Fakultetit të Drejtësisë dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-ve, që kan[ punuar fortë që projekti i Klinikës ligjore të bëhet realitet.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Adnan Jashari, tha se ndjehet shumë i privilegjuar që sot është e pranishme ambasadorja e shtetit që na ka ndihmuar vazhdimisht. Ai tha se Klinika ligjore e UEJL-së është e para në rajon dhe synon të shndërrohet në një qendër ku studentët atë që e mësojnë në teori ta realizojnë në praktikë.

Galeria e Fotove ->

Google+