Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Konferenca shkencore për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit u mbajt në UEJL Shkup

“Qeverisja e mirë dhe sundimi i së drejtës në perspektivën e integrimeve në BE”, ishte tema e konferencës, e cila u mbajt sot (11 shtator 2019), në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Shkup, ku morën pjesë hulumtues të njohur nga vendi dhe rajoni. Folës kryesor ishin Prof. Reinhard Pribe, Prof. Florian Bieber dhe Akad. Prof. Dr. Vllado Kambovski.

“Ky aktivitet e dëshmon edhe njëherë kontributin shkencor që po jep Universiteti i Evropës Juglindore për shoqërinë dhe në ofrimin e zgjidhjeve konkrete për çështjet kryesore shoqërore”, tha në fjalimin e tij, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL-it. Ai tha se kjo është njëra nga konferencat kryesore që organizohen në universitet, duke veçuar ndikimin që ajo ka në zhvillimet aktuale shoqërore.

Duke folur për temën e konferencës, rektori Bexheti tha se dy parakushtet kryesore për zhvillimin ekonomik të një vendi janë parakushte jo ekonomike.

“Sundimi i së drejtës dhe kapacitetet institucionale janë dy parakushtet kryesore për zhvillimin ekonomik të një vendi”, veço rektori Bexheti.

Universiteti ynë i jep rëndësi shkencës dhe hulumtimit dhe këtë vit ka ndarë 2% të buxhetit të tij për hulumtimet shkencore të stafit, i cili pritet që të kontribuoj konkretisht me punime shkencore duke ofruar zgjidhje konkrete për shumë çështje me të cilat përballet vendi.

Rektori Bexheti, përmendi se kjo shumë për vitin e ardhshëm do të jetë 3% dhe krahasuar me kapacitet e Universitet është më e madhja në rajon.

Zëvendës kryeministri i Qeverisë së RMV-së i angazhuar për integrimet euroatlantike, Bujar Osmani, tha se sot këtu në UEJL e kemi provimin e fundit para dhënies së datës së fillimit të negociatave në tetor. Ai e falënderoi universitetin për porosinë që jep nëpërmjet kësaj konference, e cila organizohet në vendin dhe kohën e duhur.
“Këtu është raportuesi Reinhard Pribe, i cili besoj është për ta bërë vlerësimin e fundit dhe pozitiv për vendin tonë”, u shpreh Osmani.

Fjalim përshëndetës mbajti edhe prorektorja për Hulumtime dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Besa Arifi, e cila i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, por në veçanti folësit kryesor, të cilët kanë ndihmuar edhe konkretisht me punime që kjo konferencë të ketë këtë rëndësi kaq të madhe në zhvillimet shoqërore.

“Jo rastësisht organizator të konferencës janë dy fakultet, Juridiku dhe Shkencat Shoqërore, pasi kemi dashur të kemi qasje interdisciplinare të materies që studiohet dhe të dalim me zgjidhje konkrete për probleme të caktuara”, tha prorektorja Arifi.

Konferencën e përshëndeti edhe përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, Chelesa Schinnour, e cila foli për rëndësinë e sundimit të ligjit, duke analizuar dhe vepruar sipas të njëjtit.

Fjalim përshëndetës mbajti edhe ambasadori i Sllovenisë në Maqedoninë Veriore, SH.T. Millan Jazbec, i cili u përqendrua në aspektin e kontributit shkencor të hulumtuesve për sundimin e drejtësisë.

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Adnan Jashari, në fjalimin e tij përshëndetës, foli për angazhimin konkret të stafit dhe hulumtuesve që kjo konferencë të ketë ndikim domethënës, në kohën kur vendi përballet me sfidat e eurointegrimeve.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, Prof. Dr. Memet Memeti, e theksoi rëndësinë e gërshetimit të shkencave shoqërore me drejtësinë dhe duke i shtuar këtu ekspertizën e profesorëve eminent suksesi i kësaj konference është impakti që do të ketë në zhvillimet shoqërore.

Konferenca vazhdoi me folësit kryesor, Reinhard Pribe, i cili foli në temën: “Pse sundimi i së drejtës është kërkesë kaq thelbësore për anëtarësimin në BE”, Prof. Florian Bieber e prezantoi punimin me temë: “Zgjidhja e problemeve nga e kaluara? Mësimet nga Marrëveshja e Prespës për Evropën Juglindore”, kurse Prof. Vllado Kambovski, prezantoi temën: “Sfidat e reformës në sistemin e drejtësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.”

Konferenca i zhvilloi punimet në sesione, ku staf akademik i Universitetit, studentë të doktoraturës, staf hulumtues dhe studiues të tjerë prezantuan punimet e tyre rreth temës boshte. Punimet pritet të publikohen në Përmbledhjen e Konferencës.

Google+