“Teknologjia informatike, internet, kompanitë e teknologjisë më të fundit dhe globalizimi, posaçërisht në dekadën e fundit kanë krijuar model krejtësisht të ri të ekonomisë”, tha rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në ceremoninë e hapjes së konferencës. Ai kërkoi nga studiuesit, që rekomandimet e tyre të dala nga hulumtimet e bëra të dërgohen te politikbërësit aktual, pasi ata janë shumë të hapur dhe kërkojnë kontribute që do të ndikojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike.
Konferencën e përshëndeti ministri i Ekonomisë në Qeverinë e RMV-së, Kreshnik Bekteshi, i cili e veçoi UEJL-në si kontribuuesin më të madh në ndihmën që jep në shoqëri duke organizuar konferenca të këtilla shkencore, por edhe me rekomandime dhe bashkëpunim konkret.
“Qeveria me miratimin e programit ekonomik dhe ligjit për arsim sipëror e ka bërë kusht të domosdoshëm bashkëpunimin mes universiteteve dhe pushtetit qendror, me qëllim zvogëlimin e hiper-prodhimit të kuadrove të profilit të njëjtë dhe nxitjen e prodhimit të kuadrove që kërkon tregu”, tha ministri Bekteshi.
Dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e dhënë për organizimin dhe pasurimin e konferencës.
“Ura, në të cilën gjendet objekti i këtij Universiteti në Shkup, ka simbolikën e fortë të ndërtimit të urave ndërmjet komuniteteve dhe kështu ofron një mjedis ideal për një ngjarje që e trajton sfidën kryesore të tranzicionit drejt pranimit në BE”, theksoi dekania Hyrije Abazi.
Në konferencë me punimet e tyre marrin pjesë rreth 90 studiues, kurse konferenca i zhvillon punimet në dy kampuset e Universitetit, në Shkup dhe më 14 qershor, në kampusin në Tetovë.
