Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Diplomoi gjenerata e pesëmbëdhjetë e absolventëve të UEJL-së – shpresë dhe krenari për të ardhmen

Mes shpresës, krenarisë dhe ëndrrave për të ardhmen, në praninë e prindërve, profesorëve dhe mysafirëve të shumtë, absolventët e gjeneratës së pesëmbëdhjetë të Universitetit të Evropës Juglindore, sot (8 qershor 2019), mbajtën ceremoninë e tyre të promovimit.

“Në jetë ka shumë momente përplot emocione, energji pozitive, entuziazëm, pasion, por kjo ditë lenë gjurmë të veçanta në kujtesën Tuaj përgjithmonë.”, u shpreh rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij solemn.

“Cilëndo kahe ta zgjidhni, ne ju dëshirojmë shumë shëndet dhe suksese. Dera nëpër të cilën sot do dilni (në kuptimin figurativ të fjalës), mbetet e hapur përjetë për gjithë Ju, një ditë dhëntë Zoti, edhe për fëmijët Tuaj. Kudo që të shkojnë dhe arrijnë, njerëzit në rrugëtimin e jetës tyre krijojnë detyrime. E kam fjalën për detyrimet intelektuale ndaj këtij Institucioni-që është Alma Mater i Juaj. Siç edhe e fillova porosinë, megjithëse që Ju keni merituar më shumë, sërish mos harroni edhe atë pak detyrim intelektual, që keni ndaj profesorëve, asistentëve, stafit dhe të gjithë të punësuarve në këtë kampus, edhe ndaj atyre që janë kujdesuar për këtë ambient kaq të veçantë, që e keni shijuar gjatë këtyre viteve. “, u shpreh rektori Bexheti.

Kryetari i Bordit të Universitetit, Prof. Dr. Denis Farington, në fjalimin e tij, kujtoi se ky moment i kujton ditën e diplomimit të tij para 50 viteve, ku ashtu si sot absolventët e UEJL-së edhe ai kishte qenë plotë emocione dhe ëndrra për të ardhmen.

“E di se shumë prej jush këtu sot janë përkrahur nga prindërit tuaj, gjyshërit, vëllezërit, motrat dhe anëtarët e tjerë të familjeve tuaja. Unë në emrin tuaj ua shpreh atyre mirënjohjen tuaj për mbështetjen dhe sakrificat që ata kanë bërë të gjithë ju për të siguruar suksesin tuaj. Ata e dinë se kanë bërë zgjedhjen e duhur duke ju dërguar në UEJL dhe jam i sigurt se ata do të promovojnë universitetin tonë në komunitet.”, tha Prof. Farington.

Në vend të ministrit të Arsimit dhe i Shkencës të Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi, i cili për shkak të një udhëtimi zyrtar nuk arriti të merr pjesë në Ceremoni, fjalimin e tij, e lexoi prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Hulumtim, Prof. Dr. Besa Arifi.

“Shpreh kënaqësinë time të veçantë dhe konsideratat me të sinqerta për gjeneratën e 15-të të absolventëve të Universitetit të Evropës Juglindore, të cilët, sot, më tepër se kurrë duhet të jenë krenarë që zgjodhën të studiojnë pikërisht këtu - në këtë institucion të arsimit të lartë që me përkushtimin, vizionin dhe punën e palodhshme të profesorëve dhe stafit drejtues është kthyer tanimë në një Universitet me vlera emblematike.”, thuhet në fjalimin e ministrit Ademi.

“Ju, të nderuar absolventë, ju jeni fëmijët e dijes. Ky universitet ju ka dhënë certifikatën për këtë arritje. Dhe fuqia e dijes është ajo që qëndron në zemrën e aktiviteteve njerëzore. Shikoni përreth jush dhe do të shihni se sa të fuqishëm mund të jeni me dijen që keni fituar gjatë studimeve tuaja.”, tha në fjalimin e tij, ambasadori i Sllovenisë në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesia e Tij Milan Jazbec.

Para fillimit të Ceremonisë, në shenjë nderimi, u zbulua plaka e emërimit të amfiteatrit 3, me emrin e të ndjerit Prof. Alajdin Demiri.

Në emër të studentëve të gjeneratës, foli studenti i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Blend Dehari, i cili në radhë të parë i falënderoi prindërit për sakrificën dhe se të gjitha arritjet e tyre nuk janë vetëm tonat, por edhe të tyre, sepse pa punën dhe inkurajimin e tyre, ndoshta nuk do të ishim sot këtu si studentët e gjeneratës 2019.

Për anën artistike të Ceremonisë u kujdes tenori i famshëm Kastriot Tusha, kantautori Agim Poshka, kori i Universitetit të Tetovës, nën udhëheqjen e Arifikmet Xhemailit dhe kuarteti i muzikës klasike nga Shkupi.

Google+