Në fjalën e tij të rastit, rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, tha se si institucion ndjehemi të lumtur në cilësinë e nikoqirit dhe si kontribuues në ngritjen e cilësisë së temave që po diskutohen në kuadër të këtij procesi madhor.
“Ky proces inkluziv po mbahet në një institucion që e mban prefiksin evropian dhe nuk ka vende më të qëlluara se universitetet ku të gjitha palët mund të jenë më të lirë, më të hapur dhe më kontribuues. Ne si universitet qëndrojmë në dispozicion të plotë, me të gjitha resurset dhe kapacitetet tona të ekspertizës për kapitujt 23 dhe 24”, tha rektori Bexheti. Ai, e theksoi rëndësinë e shënimit të hapave konkret në zhvillimin ekonomik, sepse në të kundërtën ekzodusi i ikjes së popullatës do të përkeqësohet.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, e shprehu kënaqësinë që sot po debatojmë për ngritjen e kapaciteteve për luftimin e korrupsionit, që është interes i përgjithshëm , si shoqëri.
“Qëllimi ynë është të bashkohemi dhe të punojmë kundër çdo lloj kriminaliteti të organizuar dhe të tregohemi të vendosur në sundimin e ligjit dhe drejtësisë në vend”, tha ministri Spasovski
Fjalim rasti mbajti edhe Prof. Dr. Blerim Reka, i cili foli për përvojën ndërkombëtare dhe hapat që shtete të tjera kanë ndjekur në këtë fushë gjatë procesit të anëtarësimit në BE.
Në debat merrnin pjesë ekspertë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, nga Republika e Sllovakisë, profesorë, përfaqësues të Gjykatës Themelore në Shkup, të Lëvizjes Evropiane, të sektorëve financiar të qeverisë dhe përfaqësues të Prokurorisë Speciale.
Tryeza e rrumbullakët u mbështet nga USAID dhe SlovakAid.
