Zëvendëskryeministri Osmani e prezantoi edhe projektin e Sekretariatit për realizimin e garës në ese të titulluar “Nëpërmjet dijes në kryeqendrën evropiane” , e cila do të zhvillohet në të gjitha universitetet publike dhe privato-publike, siç është UEJL, ku nga secili universitet, do të zgjidhen nga dy studentë që do të vizitojnë institucionet evropiane në Bruksel dhe Strasburg.
“Integrimi i plotë i vendit tonë në BE, nuk është opsion, por proces i domosdoshëm. Vetëm integrimi në BE, mund të ndal ikjen masive të popullatës. Ky fenomen është i lidhur me njëri – tjetrin në mënyrë inverse, në kuptimin që sa më afër integrimit është vendi, aq më tepër ulet shkalla e emigrimit dhe anasjelltas”, tha rektori Bexheti, në fjalimin e tij.
“BE-ja nuk duhet të ngurojë në procesin e zgjerimit, sepse zhvillimet e fundit gjeostrategjike në Ballkan tregojnë për një rritje të ndikimeve politike dhe ekonomike nga vendet e lindjes, si Rusia dhe Kina. “, tha mes tjerash rektori Bexheti.
Në cilësinë e ligjëruesit të lëndës, foli prof. Bekim Nuhiu, kurse ligjërata u moderua nga prodekania e Fakultetit Juridik Arta Selmani.
