Panelistë ishin: Harun Ibrahimi, Sasho Ordanovski, Migena Gorenca dhe Ismail Sinani, kurse në debat pas prezantimit të panelistëve morën pjesë edhe studentët e drejtimit Komunikimi Ndërkombëtar dhe të Klubit Feminist të Parlamentit Studentor.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij të rastit tha se liria e mediumeve është bazike për funksionimin e një shoqërie demokratike.
“Liria e mediumeve nuk është vetëm retorik, por përfaqëson edhe ndikimin që mediumet kanë në shoqëritë demokratike. Me mediume të fuqishme sigurojmë funksionalitetin institucional”, tha rektori Bexheti.
Doc. Dr. Demush Bajrami, prodekan i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, foli për rëndësinë e lirisë së medies dhe se shënimi i kësaj dite me praninë e gazetarëve kaq të njohur e shton rëndësinë që ka kjo ditë.
Ishte mendim i përgjithshëm, se në Maqedoninë e Veriut përmirësime ka, por sërish liria e medias është problematike dhe se mediumet janë të pavarura, por me filtrim.
