Në debat ishin të pranishëm një numër i madh i studentëve dhe profesorëve, kurse të pranishmëve iu drejtuan: rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, drejtoresha e Fondacionit “Fridrih Ebert”- Zyra në Shkup, Eva Ellereit, ministri i Financave, Dragan Tevdovski dhe drejtoresha e Departamentit të Planifikimit Strategjik në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Vesna Srceva.
Rektori Bexheti, e shprehi kënaqësinë e tij, që Universiteti i Evropës Juglindore është nikoqir i këtij debati, pasi sistemi i taksave na tangon të gjithëve.
“Të gjithë ne jemi taksapagues dhe sigurisht jemi të interesuar për një sistem të drejtë dhe më të thjeshtëzuar”, tha rektori Bexheti, i cili nisur nga eksperienca dhe vokacioni mori pjesë aktive në këtë debat.
Ministri i Financave, Dragan Tevdovski, tha se qëllimi është të ngremë nivelin e debatit për këtë temë kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për të gjithë qytetarët. Ai, prezantoi lidhur me strukturën e taksave, mënyrën e mbushjes së buxhetit dhe argumentoi se pse u deshën reformat në sistemin e taksave.
Drejtoresha Eva Ellereit, tha se ndjehet shumë e privilegjuar që gjendet në Tetovë, në një universitet dhe kampus kaq bashkëkohor. Lidhur me debatin, ajo tha se një sistem i mirë i taksave duhet të jetë i drejtë gjatë shpërndarjes.
Drejtoresha Vesna Srceva foli për planifikimin strategjik dhe rolin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike në sistemin e taksave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
