Në Kosovë, studentët dhe profesorët u pritën nga kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në profilin e tij të facebook-ut, lidhur me këtë vizitë kishte shkruar “Kënaqësi e veçantë të bashkëbisedoj hapur me një grup pedagogësh dhe studentësh të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL), për rrethanat aktuale politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për rrugëtimin e përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”.
Delegacioni i FSHSHB-së, gjatë vizitës në Kuvendin e Kosovës, realizoi takim me shefin e Grupit Parlamentar të AAK -së z. Ahmet Isufi, zëvendëskryetaren e Komisionit për Arsim, Rini dhe Shkencë, deputeten Teuta Haxhiu, kurse gjatë vizitës në Universitetin e Prishtinës, u pritën nga Prof. Ass. Dr. Dashamir Bërxulli, prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Takim u realizua edhe me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.
Në Shqipëri, delegacioni i FSHSHB-së, e vizitoi Kuvendin e Shqipërisë, Bashkinë e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës dhe Institutin Kanadez të Teknologjisë, ku u pritën nga zyrtarë të lartë të këtyre institucioneve të rëndësishme.
Vizitat e realizuara dhe takimet u shfrytëzuan nga përfaqësuesit e UEJL-së për shkëmbimin e përvojës dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim konkret, kurse studentët patën mundësi për së afërmi të njihen me mënyrën e funksionimit, punën që këto institucione bëjnë, duke i krahasuar ato me dijet që i kanë fituar në mësimdhënie në fakultet.

