Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U promovua libri në shqip i ambasadorit slloven Milan Jazbec

Në Universitetin e Evropës Juglindore, sot (26 mars 2019), u promovua libri i përkthyer në shqip me titull “Martin Krpan diplomat dhe ushtarak” të autorit Prof. Dr. Milan Jazbec, ambasador i Sllovenisë në Maqedoninë e Veriut.

Ambasadori Jazbec u shpreh se ndjehet shumë i nderuar, që promovimi i këtij libri bëhet, këtu në këtë universitet, ku ai ligjëron si profesor vizitor dhe se studentët, do të kenë mundësi të mësojnë diçka të re dhe të dobishme mbi diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Meqë historia origjinale është ngërthyer në librin tim, njëkohësisht është edhe përkthimi i parë i tregimit për Martin Kërpanin në gjuhën shqipe. Prandaj, përkthimi që ne prezantojmë këtu ka një domethënie historike.”, tha ambasadori slloven Milan Jazbec.

Rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, falënderoi ambasadaorin Jazbec, për promovimin në Universitetit tonë të këtij libri. Ai tha se libri është shkruar në një gjuhë të thjeshtë dhe të rrjedhshme dhe është shumë lehtë për tu kuptuar nga të gjithë.

“Nëpërmjet personazhit të Martin Krpanit, pasqyrohen karakteri dhe mentaliteti i kombit slloven, me të cilin ne këtu jemi njohur dhe kemi respekt të veçantë”, tha rektori Bexheti.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila e ka shkruar parathënien e librit, tha se libri i ambasadorit Jazbec, në gjuhën shqipe tingëllon me versionin autentik në gjuhën sllovene.

“Personazhi i Martin Krpanit ka në vete elemente mitologjike dhe është i ngjashëm me personazhet shqiptare të romantizmit. Këto elemente i bëjnë të ngjashëm popujt e Ballkanit”, tha kryetarja Arifi.

Ky roman flet për Milan Krpanin, hero i popullit slloven, kurse autori në mënyrë sfiduese e analizon atë si një diplomat dhe ushtarak të mundshem.

Google+