Në turneun e sivjetëm jubilar (10 vjetori i turneut), përveç ekipit të Universitetit të Evropës Juglindore ishin të ftuar edhe ekipet: FC Shkupi, FC Prishtina Futsal dhe FC Drenica.
„Pjesëmarrja jonë në këtë turne kishte karakter përfshirës dhe gjithëkombëtar, me synim të testojmë kapacitetet e ekipit tonë dhe të forcojmë lidhjet mes ekipeve, duke shkëmbyer ide dhe përvoja pozitive”, tha trajneri i ekipit, Besnik Sulemani.
U zhvilluan disa ndeshje, ku ekipi SEEU Futsall dëshmoi se është mirë i përgatitur dhe se është përfaqësues i denjë në këtë memorial, por edhe se është i përgatitur për të sfiduar shumë ekipe në ligën republikane të këtij sporti.
Organizatorët e kampionatit u shprehën të kënaqur me pjesëmarrjen në këtë turne të ekipit të Universitetit të Evropës Juglindore. Përveç se u nderua me medalje, organizatorët shprehën kënaqësi për lojën e bukur që e treguan djelmoshat e SEEU Futsall dhe atmosferën që e krijuan në sallën e sporteve të Prishtinës, ku shpesh u duartrokitën për disiplinën dhe lojën e treguar.
Lidhur me pjesëmarrjen e ekipit tonë, përfaqësuesit e klubit shtuan: “Për dhjetë vjet, në Turneun “Adem Jashari” deri tani kanë marrë pjesë ekipe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Çekia, Arabia Saudite si dhe reprezentacionet e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Ndërsa sivjet ishin të ftuar vetëm katër ekipe dhe një nga ato ishim ne. Edhe kësaj radhe djelmoshat tanë treguan fer plej, ashtu si i ngjan një ekipi që përfaqëson institucion arsimor, për të cilën gjë i falënderojmë studentët tanë”.
Vlen të theksohet se organizimi i turneut dhe mikpritja e nikoqirëve ishte në nivelin më të lartë.
