Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Shtatëmbëdhjetë vite përkushtim, dije dhe cilësi

Universiteti i Evropës Juglindore, të premten (23 nëntor 2018), me një manifestim enkas e shënoi 17-të vjetorin e themelimit. Në këtë ngjarje të veçantë, morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi, rektori i Universitetit “Goce Dellçev”, prorektorët nga Universiteti i Tetovës dhe nga Universiteti “Kliment Ohridski” , si dhe shumë mysafirë të tjerë.

“Sot, ne e festojmë 17-të vjetorin e themelimit të Universitetit tonë, kurse dje e shënuam 110 vjetorin e Alfabetit të Unifikuar të Gjuhës Shqipe. Dy festa domethënëse dhe pashmangshëm të lidhura me njëra – tjetrën; Universiteti si tempull i arsimimit sipëror dhe Dita e Alfabetit si fondament i intelektualizmit dhe kulturës sonë kombëtare.”, tha me këtë rast në fjalimin e tij rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.

Duke folur për arritjet e Universitetit gjatë 17 viteve të ekzistencës, rektori Bexheti, e veçoi kontributin e dy rektorëve të mëparshëm të ndarë në faza, duke u zotuar në përmbushjen e misionit të Universitetit dhe në realizimin e fazës së tretë, që është qëndrueshmëria dhe zhvillimi në bazë të vlerave dhe diferencimit cilësor në kushte të një ekonomie tregu përtej kufijve gjeografik.

“Koncepti i tregut këtu nuk vihet në kontekstin mikrostruktural, por në kontekst më të gjerë në aspektin e optimizimit, utilizimit dhe zhvillimit panregjional , duke shkuar drejt internacionalizimit të vazhdueshëm.”, theksoi rektori Bexheti.

Lidhur me qëndrueshmërinë afatgjate, rektori Bexheti theksoi edhe hapat konkret që janë marrë që në fillim të mandatit të tij.

“Pas pesë vitesh financimi publik në vlerë absolute të ,,sheshtë”, dhe pa status të përveçëm fiskal, falë mbështetjes institucionale, së pari të Ministrit të arsimit e shkencës e më pas edhe të Kryeministrit, këtë vit akademik shënojmë rritje të konsiderueshme të fondeve, por mbi të gjitha edhe statusin e entitetit të rregullt fiskal në Buxhetin e shtetit”, theksoi mes tjerash rektori Bexheti.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi, tha se Universiteti i Evropës Juglindore e ka jetësuar idenë dhe vizionin e komisarit Maks van de Shtul.

“Aktualisht Universiteti i Evropës Juglindore i dikton trendët e cilësisë në arsimin e lartë, kurse kuadrot e dalë nga ky Universitet me dijen dhe përgatitjen e tyre po e japin kontributin me shumë sukses në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, kudo që ato janë angazhuar.”, tha ministri Ademi.

Kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Denis Farington, në fjalimin e tij, mes tjerash, foli për rëndësinë e ruajtjes së modelit të universitetit, duke i kujtuar përpjekjet dhe hapat që u bënë 20 vite më parë për themelimin e tij.

“Tani ekziston një Ligj i ri për Arsimin e Lartë me një strukturë mjaft të ndryshme nga jona në universitetet publike: disa nene kanë të bëjnë me ne, por ne kërkojmë të ruajmë modelin Splugenschloss, i cili ka funksionuar mirë. Personalisht, nuk shoh ndonjë arsye të mirë për ta ndryshuar atë në mënyrë të konsiderueshme; nuk ka nevojë të rregullojmë diçka që nuk është thyer.”, tha kryetari i Bordit, Prof. Farington.

Në kuadër të festimeve të përvjetorit të Universitetit u promovuan edhe doktorantët, të cilët simbolikisht i pranuan diplomat nga rektori.

Për anën artistike të manifestimit, me pjesë klasike u prezantua Kori i Universitetit të Tetovës dhe grupi “Triola”, nga Tetova.

Google+