Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu vizitoi UEJL-në

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Maqedonisë, Suhejl Fazliu, të hënën (12 nëntor 2018), qëndroi për vizitë në Universitetin e Evropës Juglindore, në Tetovë. Ai realizoi takim me rektorin e UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, me të cilin biseduan për mënyrat e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Ministri Suhejl Fazliu me këtë rast e njoftoi rektorin Bexheti me aktivitetet dhe projektet për bashkëpunim ndërkufitarë, të cilët financohen nga fondet IPA të Bashkimit Evropian në veçanti me bashkëpunimin ndërkufitarë me Shqipërinë dhe Kosovën, ku mund të aplikojnë shfrytëzues të këtyre fondeve nga rajoni i Pollogut.

“Mundësitë janë të shumta, kështu që komunikimi dhe forcimi i lidhjeve me UEJL-në, do të shkonte në të mirë të institucionit, studentëve dhe qytetarëve të mbarë regjionit”, theksoi ministri Fazliu,

Rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti i përshëndeti iniciativat e këtilla nga niveli nacional dhe theksoi se Universiteti ka gatishmëri dhe nevojë për tu kyçur në ato projekte, sidomos për iniciativa, që do të kishin ndikim në nivel të komunave. Ai, e nënvizoi nevojën për ngritjen e potencialit të kapaciteteve institucionale me theks të posaçëm për trajnime konkrete në fusha specifike, të llojit “in house” për qeverisjen lokale.

“Prandaj, bashkëpunimi, do të ishte më se i dobishëm nëse njohuritë akademike jetësohen në praktikë”, theksoi mes tjerash, rektori Abdylmenaf Bexheti.

Rektori Bexheti i sugjeroi ministrit edhe mundësinë e përpilimit dhe aplikimit të një projekti për bashkëpunim ndërkufitar të Republikës së Maqedonisë me Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, në suaza të turizmit ekologjik dhe malor, ku Universiteti ka hulumtime konkrete nga kandidatët e doktoraturës dhe stafi i Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë.

Delegacioni i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale vizitoi edhe Parkun Teknologjik të Universitetit, ku drejtpërsëdrejti, nga menaxherët e këtij institucioni u njoftua me historikun e shkurtër 5 vjeçare, aktivitetet aktuale, qëllimin dhe vizionin e tij.

Google+