Konferencën e shpalli të hapur, prorektori për planifikim akademik i UEJL-së, Prof. Dr. Vlladimir Radevski, i cili tha se është kënaqësi që në universitetin tonë të tubohen emra kaq të rëndësishëm të politikës dhe shkencës. Fjalim rasti mbajtën edhe dekani i Fakultetit të Shkencave dhe Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, Prof. Dr. Memet Memeti dhe koordinatori i konferencës, Prof. Dr. Hasan Jashari.
Në konferencë u prezantuan punime shkencore lidhur me fillimet e pluralizmit dhe krijimit të partive të para shqiptare në Maqedoni, ku u theksuan momente kyçe që lidhen me kontekstin e atëhershëm politik dhe ekonomik të Maqedonisë.
Konferenca i zhvilloi punimet në sesione plenare, duke u mundësuar pjesëmarrësve të zhvillojnë debat dhe t’i këmbejnë mendimet lidhur me fillet e demokracisë në Maqedoni, duke e krahasuar me momentin politik, në të cilin gjendet Maqedonia dhe rajoni i Ballkanit në përgjithësi.
Deputetet e parë të Parlamentit të Maqedonisë prezantuan punime lidhur me fillimet e pluralizmit dhe lëvizjet demokratike të shqiptarëve në Maqedoni. Gjithashtu, në konferencë u trajtuan tema të krijimit të mediumeve të para demokratike dhe të zhvillimit të barabartë regjional në Republikën e Maqedonisë, si dhe tema të tjera të aspekteve të ndryshme të fillimit të pluralizmit në Maqedoni, por edhe në rajon.
Punimet e prezantuara, do të botohen në Përmbledhjen e konferencës.
