Tryeza u organizua në kuadër të aksionit për Fuqizimin e Integritetit dhe Luftimin e Korrupsionit në Arsimin e Lartë dhe e njëjta bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, si pjesë e Kornizës programatike të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Mbështetja horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” e zbatuar nga Këshilli i Evropës.
Ky aktivitet rajonal i tuboi bashkë përfaqësues të bashkësisë akademike dhe përfaqësues të ministrive të arsimit nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Kosova, si dhe palë tjera relevante.
Nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), në këtë ngjarje morën pjesë: kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Dennis Farrington, prorektori për Planifikim akademik dhe digjitalizim, Prof. Dr. Vladimir Radevski, prorektorja për Hulumtim dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arifi dhe drejtor i Institutit të Kërkimeve "Maks van der Shtul", Prof. Dr. Veli Kreci.
Synimi i kësaj tryeze është të krijojë një platformë për diskutim në mesin e kolegëve, për të ndarë pikëpamjet dhe përvojat në gjetjen e masave të duhura për të forcuar etikën dhe integritetin në sistemin e arsimit të lartë, të cilat janë jetësore për sigurimin e arsimit cilësor.
Ekspertë të shquar të fushës u ftuan të ndajnë përvojat dhe praktikat më të mira nga institucionet e tyre në trajtimin e çështjeve që ndikojnë në integritetin në arsimin e lartë si adoptimi dhe administrimi i kodeve të etikës nga institucionet e arsimit të lartë, iniciativa të ndryshme dhe përpjekje inovative për të siguruar integritet në arsimi.
