Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

E motivuar dhe me synime të qarta diplomoi gjenerata e katërmbëdhjetë e studentëve të UEJL-së

Mes emocionesh, falënderimesh, suksesesh dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, Universiteti i Evropës Juglindore, të shtunën (16 qershor 2018), e përcolli gjeneratën e katërmbëdhjetë të të diplomuarve, duke mbajtur Ceremoninë e diplomimit të kësaj gjenerate. Të pranishëm, përveç prindërve dhe familjarëve të studentëve, ishin edhe ambasadori i SHBA-ve, në Maqedoni, sh.t. Xhes Bejli, ambasadori i Sllovenisë në Maqedoni, sh.t. Millan Jazbec, ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, z. Arbër Ademi, përfaqësues të bashkësisë së biznesit dhe shumë të ftuar të tjerë.

Prof. Dr. Denis Farington, kryetar i Bordit të UEJL-së, në fjalimin e tij e theksoi rëndësinë përfshirjes dhe kontributit që të diplomuarit tanë duhet të japin në zhvillimet e përgjithshme në vend.

“Qytetarë, prindër dhe miq, keni çdo arsye të jeni skeptikë për disa gjëra që do të dëgjoni dhe lexoni rreth arsimit të lartë, por nuk ka arsye të dyshoni kur them 'Ne jemi më të mirët'. Studentë, suksesi juaj e dëshmon këtë. Mos harroni t’i falënderoni ata që e bënë këtë të mundur.”, tha Farington.

“Përmes iniciativave të ndërmarra bashkërisht nga Këshilli, OSBE-ja, USAID-i, Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë kombëtarë, rezultoi me krijimin e UEJL-së si një institucion shumë-etnik dhe tre-gjuhësor me dy karakteristika kryesore: liria nga çdo formë e ndërhyrjes politike dhe një prani e vazhdueshme ndërkombëtare.”, theksoi Farrington.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot jam i pranishëm në promovimin e një gjenerate të re – gjeneratës së 14-të me radhë të studentëve të cilët zgjodhën të fitojnë njohuri akademike pikërisht në Universitetin e Evropës Juglindore – në njërin nga institucionet më atraktive të arsimit të lartë në vend dhe në rajon, i njohur për cilësinë dhe spektrin e gjerë të mundësive për arsimim që ofron, për risitë që vazhdimisht i aplikon në programet studimore, për trajnimin bashkëkohore praktike të studentëve dhe për bashkëpunimin dhe projektet që i realizon me një numër të madh të institucioneve të larta arsimore dhe shkencore dhe me komunitetin e biznesit.”, tha në fjalimin e tij ministri i Arsimit dhe Shkencave i Maqedonisë, Arbër Ademi.

Ministri Ademi, u shpreh se nuk ka asnjë dyshim për cilësinë e njohurive dhe aftësive që tashmë i posedojnë të diplomuarit, sepse, “e di se cilat janë qëllimet afatgjata dhe se sa janë përpjekjet e menaxhmentit (udhëheqësisë)dhe stafit mësimdhënës në Universitetin e Evropës Juglindore.”

Ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, sh.t. Xhes Bejli, në fjalimin e tij, ua kujtoi të diplomuarve se kanë studiuar në universitetin, i cili “uthemelua në parimet e mësimdhënies cilësore dhe shkëmbimit intelektual dhe se UEJL ka një reputacion të lartë si një universitet, ku studentët mund të marrin edukim cilësor që është konkurrues në skenën ndërkombëtare.”

Gjithashtu, theksoi ambasadori Bejli, është një fillim i ri për universitetin, pasi Prof. Abdylmenaf Bexheti, do të merr detyrën si rektor dhe Prof. Dika, do të fillojë një fazë të re në karrierën e tij të shquar.

Universiteti i Evropës Juglindore, i themeluar si universitet i pavarur, jo fitimprurës mbetet i vetmi i këtij lloji në Maqedoni. Si një universitet udhëheqës në Maqedoni me zë të pavarur nga shteti dhe i lirë nga presioni për të realizuar profit, UEJL është një institucion thelbësor, tha ambasadori Bejli.

“Merrni detyrimin dhe të organizoheni si alumni për të mbrojtur UEJL-në në dobi të studentëve të ardhshëm dhe universitetit si tërësi. Gjithashtu ju inkurajoj që të vazhdoni të ndërtoni përvojën tuaj multi-kulturore dhe shumëgjuhësore në UEJL, duke promovuar diversitetin, përfshirjen dhe tolerancën, si vlera që forcojnë një shoqëri gjatë gjithë karrierës suaj, kudo që të shkoni.”, i porositi të diplomuarit e UEJL-së, ambasadori Bejli.

Unë, tha ambasadori Bejli, gjithashtu jam optimist për të ardhmen e UEJL-së dhe Maqedonisë si vend. Por, optimizmi nuk duhet të merret si i mirëqenë: arritja dhe mbështetja e suksesit, prosperiteti kërkon përpjekje të mëdha dhe këmbëngulje.

Rektori aktual i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, në fjalimin e tij i përkujtoi të pranishmit se “situata, ndoshta është si vitin e kaluar”, por me një dallim se “ ja që unë jam edhe më i motivuar këtë vit, për faktin se tek ju shoh më shumë dritë në rrugën e gjatë të formimit intelektual e profesional.”

“Sepse, sot, i gjithë ky staf që keni përpara, në bashkëpunim të ngushtë me themeluesit tanë ndërkombëtarë dhe në koalicion me prindërit tuaj, që në këto rrethana patën besim dhe investuan për studimet tuaja në universitet, të gjithë të udhëhequr nga vlerat ndërkombëtare të hapsirës evropiane të arsimit të lartë dhe qytetërimit euro-perëndimor, arritëm që edhe në këto rrethana të vështirësive të papërmendura, të ruajmë autonominë e universitetit dhe dëshmuam se megjithatë, me punë të palodhshme, me përkushtim dhe dashuri për profesionin dhe me besim në ideale të vërteta, mund të fitohet çdo betejë, sado e pamundur që mund të duket ajo...”,tha rektori Dika, i cili në shenjë falënderimi i lexoi emrat e të gjithë të punësuarve në Universitet.

Në këtë ceremoni u promovuan edhe studentët e gjeneratës, të cilët u pajisën e certifikata të veçanta, kurse në emër të të gjithë të diplomuarve foli Blerina Demiri, studente e Shkencave të Komunikimit.

“I gjithë ky rrugëtim drejt suksesit, çdo hap i vogël që na solli në këtë ditë të madhe, nuk do kishte ngjyrat e duhura pa mundin e atyre që dhanë gjithçka nga vetja në emër të dijes. Prandaj, profesorë të dashur, nëse pas një dekade nuk do të mbajmë mend çdo teori që na keni mësuar, figura juaj në mendjen e gjithsecilit nga ne, do jetë e pashlyeshme.”, theksoi studentja e gjeneratës, Blerina Demiri.

Ceremoninë e moderoi Burbuqe Kaprolli, përgjegjëse e Qendrës së karrierës.

Për anën artistike të ceremonisë u përkujdesën: Duo instrumentale nga Televizioni “Top Channel”, korri i UT-së në udhëheqjen e maestros, Arifikmet Xhemaili dhe Kuarteti i Akademisë nga Shkupi.

Google+