Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Pjesëmarrje masive e kompanive në Panairin e karrierës në UEJL

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), në Tetovë, të martën (24 prill 2018), për të trembëdhjetën herë me radhë organizoi Panairin e karrierës.

Në kudër të këtij manifestimi, studentët dhe të diplomuarit në UEJL, u njohën me kushtet e mbajtjes së punës praktike dhe mënyrën e punësimit, si dhe planifikimin e karrierës së tyre.

Mbi 60 kompani dhe institucione relevante nga Maqedonia, aq sa morën pjesë në këtë panair, shkëmbyen ide dhe përvoja rreth aktiviteteve të bizneseve të tyre. Sipas rektorit të UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, kjo është një mundësi e drejtpërdrejtë për të kontaktuar me studentët, apo burimet e ardhshme njerëzore bazuar në dije, si produkt i universitetit, duke shërbyer si nxitje për një bashkëpunim midis arsimit të lartë dhe sektorit afarist, që ishte edhe qëllimi i këtij panairi.

“Biznesi në Evropë gjithnjë arritjet më të mëdha i ka realizuar falë bashkëpunimit me universitetet. Për më tepër, kjo, është edhe si shembull i arritjeve të përbashkëta, sidomos në kuadër të iniciativave kryesore të strategjisë ‘Evropa 2020’, tha rektori Dika.

“Kemi nevojë urgjente që të rreshtohemi drejt trendëve evropiane të krijimit të aleancave nacionale, e pse jo edhe rajonale të dijes ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe biznesit për t’iu bashkangjitur rrugës së stimulimit të kapaciteteve inovative në shoqëritë tona”, tha mes tjerash rektori, Prof. Dr. Zamir Dika në fjalën e tij të hapjes.

Në Panairin e karrierës mori pjesë edhe zëvendësministri i arsimit i Maqedonisë, Dr. Arbër Ademi, i cili tha se panairet i çojnë përpara idetë inovative.

“Kompanitë e vlerësojnë kuadrin e dalë nga ky Universitet, pasi të diplomuarit nga këtu kanë dëshmuar se kanë cilësi dhe profesionalizëm”, tha zëvendësministri i arsimit, Arbër Ademi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha, tha se mundësitë e biznesit gjenden kudo, kurse për studentët sfida e parë është gjetja e idesë.

“Mendoj se kompanitë e njohin potencialin e studentëve të UEJL-së”, tha Nebi Hoxha.

Përgjegjësja e Qendrës së karrierës, Burbuqe Kaprolli – Hamzai, i falënderoj kompanitë pjesëmarrëse, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë, ku Qendra e karrierës është urë lidhëse midis studentëve dhe kompanive.

Panairi i karrierës është një pikë takimi midis studentëve dhe punëdhënësve potencialë, duke iu ofruar edhe mundësi për punësimin ose angazhimin e tyre në kryerjen e mësimit praktik.

Google+