Rreth 160 nxënës, maturantë nga shkollat e mesme të Maqedonisë, patën mundësi të njihen me infrastrukturën, mësimdhënësit, studentët dhe me funksionimin e mësimdhënies në Universitet.
Pjesëmarrës në kamp ishin rreth 160 nxënës, ku 65 prej tyre qëndruan në konviktet e UEJL-së.
“Ne në menaxhmentin ekzekutiv të UEJL-së, kishim kënaqësinë të përkrahim këtë nismë të Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë. "Kampi Veror" solli shumë studentë entuziastë në kampusin tonë, kur ata patën mundësinë të marrin pjesë në seanca (të udhëhequr nga stafi ynë akademik), për temën e arsimit, teknologjisë dhe ekonomisë së dijes ", tha në fjalimin e rastit provost i UEJL-së, Prof. Dr. Endrju Godspid.
“Në kuadër të kampit u realizuan trajnime, ku për tema të caktuara ligjëruan rreth 12 profesorë dhe u mbajtën aktivitete të ndryshme shoqërimi, zbavitjeje dhe mësimi. Qëllimi ishte që nëpërmjet Kampit Veror maturantët të shoqërohen me njëri-tjetrin, të zbavitjen, por edhe të njoftohen me rrugëtimin e tyre të mëtutjeshëm për zgjedhjen e drejtimit apo profesionit.”, tha në fjalimin e tij dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Izet Zeqiri.
Kampi u ofroi mundësi që ato të shoqërohen me njëri-tjetrin, kurse temat që u ligjëruan nga profesorët tanë i bënë ata më kureshtar për cilësinë, profilin dhe profesionalizmin akademik të Universitetit.
Në mënyrë simbolike Kampi Veror i bashkoi studentët dhe maturantët në një vend, me qëllim të përfitimit të përvojës dhe që maturantët të krijojnë një pasqyrë më reale për Universitetin dhe për karrierën e tyre profesionale.
