“Konfirmimi më i madh erdhi nga vlerësimi i jashtëm ndërkombëtar i universitetit, i realizuar nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane, të cilët në raportin e tyre konkluduan se: Universiteti i Evropës Juglindore është një brend i suksesshëm që duhet kultivuar.”, theksoi rektori Dika.
Në kuadër të ndërkombëtarizimit, rektori Dika tha se UEJL e mbylli këtë vit me rreth 50 mobilitete ndërkombëtare të studentëve tanë dhe stafit akademik. Universiteti ynë është një arenë e diskutimit të çështjeve aktuale me partnerët ndërkombëtarë. Po ashtu, sipas tij, patëm debate publike me ambasadorin e SHBA-ve, Xhes Bejli, ambasadorin e BE-së, Samuel Zhbogar; atë të Francës; Gjermanisë, Italisë, Holandës, Polonisë, Mbretërisë së Bashkuar, Komisionerin e lartë të OSBE-së.
“Ky dialog me themeluesit e universitetit është një konfirmim i aspiratës dhe bashkërenditjes së standardeve tona me ato ndërkombëtare.”, tha rektori Dika.
Sipas tij, këtë vit në UEJL 23% të studentëve janë regjistruar në studimet në gjuhë angleze. Vlera e universitetit vazhdoi të njihet edhe këtë vit nga buxheti i shtetit.
“Pra, qëndrueshmëria financiare vazhdoi të sigurohet edhe me përkrahjen e buxhetit të shtetit me 10% financim të aktiviteteve të përbashkëta. Universiteti ynë vazhdon të jetë më produktivi në bashkëpunim me komunitetin e biznesit. Përveç programit të specializimeve që realizohet drejtpërdrejtë me kompanitë e rajonit, të cilët sigurojnë bursën e studentëve, nëpërmjet Qendrës për zhvillim të biznesit po realizojmë projekte për ngritjen e performancës së bizneseve.”, tha mes tjerash rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika në brifingun me gazetarë me rastin e festave të fundvitit.
