“Një popull duhet të krenohet me festat e tij, por kjo nuk mjafton për të dëshmuar se e ardhmja e tij varet gjithmonë nga fama që krijojnë festat. Prandaj, e theksoj përgjegjësinë publike, ruajtjen e integritetit akademik, transparencën, planifikimin strategjik dhe projektet që mundësojnë qëndrueshmëri afatgjate. Këto janë sfidat tona në të cilat do të bazohet aktiviteti ynë i ardhshëm”, tha rektori Dika.
“Akti i ngritjes së Flamurit në Vlorë dhe i shpalljes së Pavarësisë përbëjnë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Këto ngjarje ishin fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve drejt formimit të shteti të pavarur shqiptar. Kështu, me vendim të Kuvendit të Vlorës, shqiptarët fituan të drejtën e vet legjitime për të qenë të lirë dhe të pavarur, ashtu si edhe popujt tjerë të Evropës”, tha në referatin e tij, profesori i katedrës së Gjuhës dhe letërsisë shqipe në UEJL, Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi.
“Flamuri shqiptar është simboli më sublim që shprehë qartë identitetin kombëtar. Për më tepër, ky flamur është prova më e mirë e besnikërisë ndaj kombit dhe atdheut. Është rast i rrallë dhe në mos i vetëm, ku në të gjitha shtetet presidentët betohen mbi librat e shenjtë-Bibël apo Kuran, kurse presidenti shqiptar betimin e bën para flamurit kombëtar”, theksoi Doc. Dr. Demush Bajrami.
Në fund, studentja Rita Behadini recitoi vargje të zgjedhura nga Fan Noli.
