Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Ambasadori Kerim mbajti ligjëratë në UEJL mbi globalizimin dhe diplomacinë

Të mërkurën (25 tetor 2017), në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, diplomati i karrierës, ambasadori, Dr. Sërgjan Kerim, para studentëve dhe stafit, mbajti një ligjëratë me temë “Diplomacia dhe Globalizimi”.

Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Zamir Dika, tha se ndanë bindjen se kjo ligjëratë krijon një impakt të drejtpërdrejtë tek studentët, studiuesit dhe tek të gjithë ata që ndodhen brenda preokupimeve që ngre kjo temë, aq më tepër kur ky është vokacioni i tyre intelektual, akademik e hulumtues në fushën e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe globalizimit.

Sipas tij, Dr. Sërgjan Kerim vjen edhe kësaj radhe në auditoret e UEJL-së për të dëshmuar natyrën e studiuesit konsekuent në tezat dhe pikëpamjet e tij, të cilat mund të konsiderohen edhe si një sistem mendimi në algoritmin e politikës globale.

"Mbase, kjo formë e ligjërimit dhe e bashkëpunimit tonë me njohës dhe ekspertë të fushave përkatëse është një nga qasjet më praktike në krijimin e shprehive pozitive të studentëve, të cilët të ardhmen e tyre do ta sendërtojnë duke marrë si model mentorët e dijes", nënvizoi në mes tjerash, rektori Dika.

Dr. Kerim tha se globalizimi është proces dhe jo koncept, ku vjen në shprehje interaktiviteti gjithnjë e më intensiv i faktorëve ekonomikë, socialë dhe politikë botërorë, duke bërë që ngjarjet globale të jenë edhe lokale njëkohësisht. Prandaj, siç u shpreh ai, e ardhmja do të jetë në duart e gjeneratës së re të shkolluar të cilët do të ecin në hap me ndryshimet globale. Nga këta studentë, tha ai, është shumë e mundur të dalin ministra, kryeministra dhe kryetarë shteti, të cilët me njohuritë e tyre kanë për obligim që t'i heqin barrierat e absurdit.

Në fund, rektori, Prof. Dr. Zamir Dika falënderoi z. Kerim, i cili ia dhuroi bibliotekën e tij personal UEJL-së. Janë 635 tituj librash me një vlerë të paçmuar, fushash të ndryshme dhe gjuhësh të ndryshme, ku dominojnë librat në gjuhën angleze, gjermane, kroate, shqipe, maqedonase dhe serbe, nga letërsia, filozofia, diplomacia, sociologjia dhe enciklopedi të rralla dhe atlase të vlefshme. S’do mend se ky moment është i rëndësishëm për bibliotekën universitare sepse përveç që pasuron atë, sjell edhe një cilësi të re përmes këtij koleksioni bibliotekar në gjuhët evropiane e botërore nga qendra të ndryshme kulturore, që falë ambasadorit Kerim kanë gjetur strehë nën kulmin e universitetit tonë.

Google+