Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Në UEJL u mbajt konferencë për reformat në drejtësi dhe praktikat kundër korrupsionit

Në UEJL u mbajt konferencë për reformat në drejtësi dhe praktikat kundër korrupsionit

“Ne jemi të vendosur që të gjitha lëndët t’i procesuojmë dhe të njëjtat të kenë epilog përfundimtar gjyqësor”, kështu tha Katica Janeva, kryeprokurore e Prokurorisë Speciale të Maqedonisë, në konferencën e parë shkencore nga lëmi i drejtësisë dhe shkencave sociale, me temë: “Reformat në drejtësi dhe praktikat e anti-korrupsionit: sfidat, perspektivat dhe transferimi i përvojave”, që u mbajt sot (30 qershor 2017), në Universitetin e Evropës Juglindore, në Tetovë. Ajo tha se, ndjehet e privilegjuar që po merr pjesë në këtë konferencë, në këtë universitet dhe se është e gatshme që sa herë të organizohen konferenca të tilla, jo vetëm të marrë pjesë, por edhe të japë kontribut konkret së bashku me ekipin e institucionit që drejtohet prej saj.

Konferencën e shpalli të hapur, provosti i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJ), Prof. Dr. Endrju Godspid, i cili u shpreh se nuk është ekspert i drejtësisë, por se ndjehet krenar që universiteti ynë është nikoqir i kësaj ngjarje kaq të rëndësishme. Ai i shpalosi disa ide lidhur me korrupsionin, duke theksuar se ky fenomen ka karakter shumë të gjerë dhe mund të krahasohet me kancerin, i cili i ka shtrirë metastazat kudo në organizëm.

Konferenca u organizua nga në bashkëpunim mes Fakultetit të Drejtësisë dhe Institutit “Maks va nder Shtul” të Universitetit të Evropës Juglindore,.

Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Emine Zendeli, u shpreh se qëllimi i konferencës është që t’i tubojë në një vend hulumtuesit, studiuesit dhe të gjithë faktorët tjerë relevantë, për të reflektuar lidhur me korrupsionin, i cili, siç u shpreh ajo “ këtu në Maqedoni ka gjetur truall shumë të përshtatshëm”. Sipas saj, “faktor kryesor në luftimin e korrupsionit është vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi i të gjithëve për këtë fenomen të rrezikshëm”, tha dekania Zeneli.

Drejtori i Institutit “Maks van der Shtul”, Prof. Dr. Veton Latifi, fjalimin e tij e nisi me një citim të ish-zëvendëspresidentit Xho Bajden, i cili thotë se të luftosh korrupsionin nuk është vetëm qeverisje e mirë, por është edhe detyrë patriotike. “Korrupsioni shkatërron gjithçka në sistemin shtetëror”, tha Latifi.

Re Vuds (Rae Woods), zëvendësprokurore e përgjithshme e SHBA-ve, foli për përvojat e SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit. Ajo ilustroi raste të parandalimit dhe të luftimit të korrupsionit brenda Shteteve të Bashkuara, si në Teksas dhe Ilinois, si dhe raste të tjera, ku prokuroria e përgjithshme amerikane ka vepruar.
“E konsideroj shumë të rëndësishëm luftën kundër korrupsionit, prandaj edhe sot jam këtu në Maqedoni për të ndarë eksperiencën tonë”, tha Vuds.

Konferenca,të cilën e moderoi Prof. Dr. Besa Arfi, vazhdoi me pjesën e diskutimeve, ku kryeprokurorja Janeva dhe zëvendësprokurorja e përgjithshme Vuds iu përgjigjen pyetjeve të pjesëmarrësve, ku pati edhe një debat konstruktiv dhe reflektues lidhur me luftën kundër korrupsionit.

Google+