Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Universiteti i Evropës Juglindore shënoi 15-vjetorin e themelimit

Me një ceremoni solemne, në prani të diplomatëve të shumtë, si ambasadori i SHBA-ve, Xhes Bejli, ambasadorja e Gjermanisë, SHS Kristin Althauser, ambasadori i Italisë, i Polonisë, i Kosovës, ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar, zëvendës-shefi i OSBE-së, kryetares së Komunës së Tetovës, rektorit të Universitetit të Tetovës, Universitetit të Manastirit, Universitetit “Nënë Tereza”, përfaqësues të bizneseve, studentëve, të diplomuar dhe stafi, Universiteti i Evropës Juglindore shënoi 15 vjetorin e themelimit.

“Përderisa e vlerësoj shumë këtë mirënjohje, por më e rëndësishme është se kjo ditë është festë për Universitetin dhe frymën e tij të ekselencës së tij akademike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ajo që na lidh është dëshira jonë për të kuptuar çfarë nënkupton të jesh njeri, ta kërkosh të vërtetën dhe ta kesh guximin ta shprehësh të vërtetën edhe nëse kjo e vërtetë nuk ështē shumë e këndshme, ose është e sfiduar nga zëra, që mund të jenë më të fuqishëm se zëri ynë”, tha laureati i titullit 'Honoris Causa', Prof. Dr. Jan de Groof, në Ceremoninë e shënimit të 15-të vjetorit të themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore, që u mbajt të premten (18 nëntor 2016).

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, në fjalimin e tij, tha se ky Universitet frymon për shkak të energjive të pashtershme dhe shpirtit të njerëzve që e përbëjnë atë, të atyre që studiojnë në të, por edhe të atyre që kontribuojnë me partneritet dhe bashkëpunim me të.

“Rruga 4.0 është në horizont. Sot, veçmë po implementohet projekti për industrinë 4.0, apo projekti për “fabrikat e mençura”, i bazuar në trendet e automatizimit dhe shkëmbimit të të dhënave në teknologji. Nëse aspirata jonë është që t’i mbajmë të rinjtë tanë këtu dhe të krijojmë sisteme funksionale, duhet që të krijojmë standarde të ngjashme të jetës si në Kroaci, Slloveni, Austri e gjetkë. Nuk kemi kohë për të pritur! Ne, si Universitet i Evropës Juglindore, jemi të gatshëm të japim kontributin tonë. Duke punuar çdo ditë në personalizimin e pedagogjive për studentët tanë, duke e vendosur digjitalizimin si prioritet për ta rritur angazhimin e studentëve dhe kapacitetin e dijeve. Planifikojmë të rrisim programet studimore në gjuhën angleze dhe numrin e programeve të tjera në bashkëpunim me universitete partnere ndërkombëtare, për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregun global të dijeve të punës”, tha mes tjerash rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika.

“Sot njerëzit nganjëherë harrojnë, ose mund të jenë shumë të rinj për të kujtuar, kontributin e madh financiar të popullit të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Perëndimore në vendin tuaj për të themeluar këtë Universitet, të bazuar në parimet tona. Unë kujtoj ditën kur ne kemi marrë një faks nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për miratimin e një tjetër donacioni prej dhjetë milionë dollarë, që ndoshta renditet si një prej ditëve tona më të paharrueshme. Presidenti Xhroxh W Bush, vendi i tij dhe donatorët tanë të tjerë kishin besim në ne dhe ky sa është Universiteti i tyre po aq është i juaji. Ju lutem, mos harroni këtë në muajt dhe vitet e ardhshme“, porositi kryetari i Bordit të UEJL-së, Denis Farington.

“Universiteti ynë është pranuar si një lojtar kyç në arsimin e lartë në Maqedoni dhe në rajon. Misioni ynë fillestar është zhvilluar në disa aspekte, por ne mbetemi të angazhuar ndaj parimeve të përcaktuara nga themeluesit tanë. Një çelësi i suksesit tonë ka qenë mungesa e politikës në qeverisjen dhe menaxhimin tonë”, tha mes tjerash Prof. Farington.

Me këtë rast, Prof. Dr. Murtezan Ismailit iu dha titulli profesor emeritus për kontributin e dhënë për universitetin.

Tradicionalisht me rastin e shënimit të përvjetorit të Universitetit, të gjithë të punësuarve, që kanë mbushur dhjetë vite stazh pune, në një ceremoni enkas, iu dhanë orë dore dhe mirënjohje për kontributin e dhënë në këtë institucion.

Për anën artistike të manifestimit u kujdes grupi polifonik nga Elbasani dhe Kori i Universitetit të Tetovës, në udhëheqjen e Prof. Arifikmet Xhemailit.

Google+