Zëvendësambasadorja Schweitzer-Bluhm, e shpjegoi mënyrën e funksionimit të sistemit zgjedhor amerikan, si është i organizuar ai, si mbulohet fushata presidenciale, çfarë zgjedhin amerikanët në ditën e votimit përveç presidentit.
Në detaje, ajo foli për votën dhe rëndësinë e saj sipas secilit shteteve të SHBA-ve. Nuk është madhësia e shtetit që përcakton peshën e votës, por është sistemi zgjedhor që e përcakton peshën e votës së qytetarit amerikan, tha znj. Schweitzer-Bluhm.
“Ne besojmë në demokracinë amerikane, prandaj besojmë edhe në sistemin zgjedhor të SHBA-ve. Ky sistem është treguar funksional për qindra vite dhe është bazuar në vlerat demokratike të vendit tonë”, tha zëvendësambasadorja Schweitzer-Bluhm.
Studentët e UEJL-së nëpërmjet pyetjeve të shumta që i parashtruan, u interesuan për fushatën presidenciale në SHBA, krahasimin e sistemit zgjedhor amerikan me atë të Maqedonisë, motivimin e votuesve dhe pranimin e rezultateve nga pjesëmarrësit në zgjedhje.
Paraprakisht, zëvendësambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Micaela Schweitzer-Bluhm, u prit nga rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, i cili e njohu atë lidhur me rrjedhat e arsimit të lartë në Maqedoni në përgjithësi dhe për strategjinë e re zhvillimore të UEJL në veçanti. Me këtë rast, znj. Schweitzer-Bluhm theksoi përkrahjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen për UEJL-në.
