Ceremoninë e këtij viti me praninë e tyre e nderuan edhe ministri i Arsimit i Maqedonisë, z. Pishtar Lutfiu, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoni, Sh.T. Çarls Garet me zonjën e tij, ambasadori i Iranit në Maqedoni, Sh.T. Saied S. Mohammadi dhe mysafirë të tjerë.
Kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Dennis Farrington, tha se në nëntor të këtij viti universiteti ynë zyrtarisht, do ta festojë përvjetorin e 15-të.
“Dita e sotme është për ju dhe për të ardhmen tuaj. Ne shpresojmë që ju do të mendoni dhe do të reflektoni në atë se çfarë ju mund të kontribuoni në vendin tuaj dhe komunitetin tuaj. Të diplomuarit tanë janë të punësuar në pozita të larta në sektorin publik dhe privat në Republikën e Maqedonisë dhe Kosovës dhe në vende të tjera, dhe ku ata kanë shkuar, kështu që ju mund t’i ndiqni.”, theksoi mes tjerash Prof. Farrington.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, i porositi të diplomuarit që të jenë krenarë për Universitetin e tyre.
“Duke qenë sot i rreshtuar përballë jush, bashkëndiej emocionalisht gëzimin, por edhe përgjegjësinë që keni tash e tutje, në hapërimin e gjithë asaj që ju do ta bëni në përvetësimin e përvojave të reja. Njëkohësisht, bashkëndiej energjinë madhështore të cilën ju po e rrezatoni dhe po e reflektoni – me atë që keni absorbuar si dije e përvojë nga profesorët tuaj. Jam i sigurt se do të vazhdoni të na bëni krenar me arritjet tuaja. Unë besoj fort se të diplomuarit e Universitetit të Evropës Juglindore po ndryshojnë realitetet tona dhe me injektimin e gjeneratës së dymbëdhjetë, “goditja” intelektuale do të jetë edhe më e fuqishme për ta drejtuar këtë anije drejt ujërave të vlerave euro-atlantike.”, tha mes tjerash në fjalimin e tij rektori Dika.
Ministri i Arsimit i Maqedonisë, z. Pishtar Lutfiu, tha se do të jemi një nga aleatët kryesorë të këtij Institucioni dhe të qytetarëve në proceset edukative-arsimore dhe shkencore.
“Sot ndjehem i privilegjuar, sepse kam mundësi të ju drejtohem studentëve të diplomuar në njërin nga Universitetet më të ranguara në vend dhe rajon. Ky Universitet është edhe promotori i ndryshimeve dhe ideve përparimtare për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Promotor i vlerave kombëtare dhe demokratike. Qendër e nxënies së dijes dhe arenë e garës për më shumë cilësi. “, tha ministri Lutfiu.
Ambasadori i Mbretërisë së bashkuar, Çarlls Garet, shprehu kënaqësinë sepse është përsëri në UEJL dhe respektin e madh që ka për këtë institucion. Ai tha se është një adhurues i madh i Tetovës.
“Unë ua kam zili Juve shumë. Me diplomimin, Ju jepen mjetet të shkoni jashtë dhe t’i gjeni këto mundësi. Nuk ka nevojë ta merrni botën në sy për këtë, edhe pse disa nga Ju mund ta synoni diplomacinë si rolin/profesionin tuaj. Shumë nga Ju, do të bëni ndryshime këtu në Maqedoni. Është e pamundur të thuhet se ku dhe kur do t’Ju shfaqen këto mundësi. Mund të ndodhin këtu në Tetovë, mund të ndodhin në Londër apo Paris, ose në Hong Kong. Por, kur t’i vëreni ato, duhet të jeni të gatshëm e të shpejtë dhe jo të ngathtë!”, tha mes tjerash në fjalimin e tij ambasadori Garet.
Në emër të studentëve të gjeneratës, foli Fjolla Zllatku, nga Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikit, drejtimi komunikim ndërkombëtar, e cila i falënderoi prindërit dhe profesorët për përkrahjen e dhënë.
“Dua t’i përshëndes profesorët tanë të respektuar dhe t’i falënderoj ata për motivimin dhe frymëzimin tonë. Ju të nderuar profesorë i keni përmbushur të gjitha pritjet tona dhe padyshim keni konfirmuar vlerat e këtij Universiteti.”, theksoi Zllatku.
Mirënjohje të veçanta, të cilat do t’u shërbejë në karrierë, iu ndanë studentëve më të mirë, të zgjedhur nga secili fakultet me notë mesatare 10.00.
