Në seminar morën pjesë rreth 100 mësimdhënës, ku u trajtuan tema të Teknologjisë së informimit dhe komunikimit (TIK), si: “ALMOOC –përmbajtjet shkollore online”, “Veglat online për mësimdhënie dhe të nxënit.”, “Përdorimi i Google App në përmirësimin e mësimdhënies”.
Në emër të rektorit, trajnimin e shpalli të hapur këshilltari i tij, Dr. Demush Bajrami, i cili tha se simbioza mes akademisë universitare dhe mësimdhënësve të shkollave të mesme në Universitetin tonë gjendet në nivelin më të lartë të mundshëm, që dëshmohet edhe me trajnimin e sotshëm.
“Ky trajnim mundëson që mësimdhënësit e shkollave të mesme të fitojnë njohuri të reja praktike dhe teorike nga fusha e shkencave kompjuterike dhe të njëjtat t’ua përcjellin nxënësve të tyre”, tha Dr. Bajrami.
Për temat e trajnimit, ligjëruan: Prof. Dr. Artan Luma, Prof. Dr. Mentor Hamiti, Doc. Dr. Jaumin Hajdari, Doc. Dr. Marika Apostollova dhe eksperti Ridvan Bunjaku, kurse të gjithë pjesëmarrësve iu ndanë certifikata.
