”Përcaktimi i potencialit real për realizimin e masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Komunën e Kërçovës dhe Komunën e Kavadarit” dhe “Zbatimi i metodologjisë dhe aktiviteteve operative gjatë procesit për realizimin e iniciativës për shpalljen e Malit Sharr park nacional”, janë dy projektet, ku Universiteti i Evropës Juglindore, nëpërmjet Institutit të Mjedisit Jetësor dhe Shëndetit, do të ofrojnë ekspertizën dhe realizimin e projekteve, kurse Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, do të bëjë financimin e tyre.
“Universiteti në këtë mënyrë kyçet aktivisht në dhënien e kontributit në përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor dhe zgjidhjen e problemit me ajrin e ndotur, duke ofruar ekspertizën shkencore dhe gjetjen e zgjidhjeve afatgjate të këtyre problemeve, me të cilët ballafaqohemi çdo ditë”, tha rektori Dika.
Ministri Nurhan Izairi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes universitetit dhe dikasterit të tij për zgjidhjen e problemeve konkrete në fushën e ekologjisë.
“E falënderoj UEJL-në për gatishmërinë dhe përfshirjen e pa rezervë të kuadrit dhe instituteve shkencore në realizimin e këtyre projekteve”, tha ai.
U mbajt edhe një tryezë e rrumbullakët me temën: “Matja e cilësisë së ajrit” dhe për valorizimin e vlerave të projektit rreth shpalljes së Malit Sharr për park nacional.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm përfaqësues të komunës së Tetovës dhe kryetari i komunës së Kavadarit, Aleksandër Panov.
